Kuvendi i Kosovës u konstituua dhe Vetëvendosje mori postin e kryetarit të këtij institucioni. Por, zgjedhja e Glauk Konjufcës si kryetar i Kuvendit të Kosovës në seancën e kësaj të enjteje sinjalizon se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të qeverisin së bashku.
Posti i kreu të këtij institucioni ishte njëri prej kushteve të vendosura nga LDK për të pranuar ofertën e Vetëvendosjes. Por, në mungesë të një akordi me Albin Kurtin, Isa Mustafa deklaroi se LDK ishte e gatshme që të mbështeste Vetëvendosjen që të formonte institucionet e reja e vetme.
Ky zotim duket se u materializua në votimin për kryetar të Kuvendit, ku Konjufca u zgjodh me 75 vota pro, më shumë se dyfishi i mandateve që ka Vetëvendosje në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 6 nëntorit.
“Ju falënderoj që na e besuat këtë detyrë të rëndësishme. Ne ju garantojmë që si kryesi do ti kryejmë detyrat tona me shumë nder sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi Glauk Konjufca, duke njoftuar më pas edhe mbylljen e seancës së konstituimit të Kuvendit.
Megjithatë, Lidhja e Demokratike e Kosovës derën e gjetjes së një marrëveshjeje nuk e sheh ende të mbyllu plotësisht. Ajo ka lënë të hapur negociatat në vazhdim, përveç premtimit për të mbështetur qeverinë Kurti, por pa marrë vetë përgjegjësi qeverisësë nëse më parë nuk plotësohet kërkesa për Presidentin.
Vetëvendosje këmbëngul tek ngritja e Qeverisë dhe tek diskutimi i temës së Presidentit në një moment të dytë.
Kreu i Vetëvendosjes njoftoi ditën e mërkurë se negociatat kishin dështuar dhe fajësoi për këtë LDK, që sipas tij, kishte refuzuar ofertën e Vetëvendosjes. Ai fajësoi LDK-në edhe se nuk po respektonte parimet e dakordësuara për ndarjen e posteve në Qeverinë e ardhshme.
Pak pas këtij mesazhi të Albin Kurtit reagoi përmes Facebook Isa Mustafa. Ai akuzoi Vetëvendosjen se po kërkonte më shumë pushtet nga sa ishte votuar nga qytetarët. Mustafa thotë se posti i Presidentit dhe i Kryetarit të Kuvendit duhet t’i takojnë LDK-së në këmbim të ndarjes gjysmë për gjysmë të posteve ministrore dhe postit të Kryeministrit për Vetëvendosjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje