Futboll

Stërvitje përkrah Mesit e Grizman, moment magjik për Rey Manajn

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj, i cili pak ditë më parë kaloi nga Albacete te Barcelona B, ka pasur fatin të stërvitet dje përkrah Lionel Mesit. Ai dhe disa lojtarë të tjerë të Barcelonës B janë thirrur nga trajneri Kike Setien në ekipin e parë për ndeshjen e sotme me Leganës në Kupën e Mbretit. Është një moment magjik për futbollistin kuqezi, sepse të paktë janë ata që mund të stërviten bashkë me yllin argjentinas, me fituesin 6 herë të “Topit të Artë”.

Barcelona ka probleme me sulmuesit në këtë fazë të kampionatit, pas dëmtimit të Luis Suarezit dhe Osman Dembele. Trajneri Setien ka kërkuar blerjen e një numri “9” sa më shpejt dhe për momentin e ka gjetur zgjidhjen te skuadra B, ku ka marrë Manajn për ta bashkuar me Liones Lesin, Antuan Grizman dhe Ansu Fatin. Një shans i artë për sulmuesin kuqezi për të qenë pjesë e Barcelonës së madhe. Nëse do të luante qoftë edhe pak minuta sot në mbrëmje, për të do të ishte një mrekulli.

Rey Manaj gjatë prezantimit te Barcelona B. Gazeta Si, 30 janar 2020

Pasi la Italinë, Manaj e ka lidhur karrierën e tij me Spanjën, ku pas Granadës dhe Albacetes, tashmë ka veshur fanellën e Barcelonës B, që merr pjesë në kategorinë e tretë, por të jep edhe shansin të stërvitesh me yjet e botës, siç i ka ndodhur futbollistit nga Lushnja. Me siguri sulmuesi kuqezi ka fjetur me ëndrra mbrëmë, duke imagjinuar se trajneri Setien mund t’i japë kënaqësinë të luajë në “Camp Nou” me fanellën e një prej skuadra më të mëdha në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë