Politike

Basha: Anti-KÇK godet reformën në drejtësi

Në kohën që Edi Rama mbante fjalën e tij relativisht të gjatë para njësisë së re të Policisë së Shtetit për goditjen e pasurive të krimit të organizuar, Lulzim Basha reagoi përmes rrjeteve sociale me anë të një postimi të shkurtër.

Në postimin e shfaqur në “Twitter”, Basha thotë se Edi Rama nuk mund ta luftojë as krimin dhe as korrupsionin dhe thotë edhe arsyen se përse.

“Pas 7 vitesh dështim, një gjë është e qartë. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin sepse ata jane vetë krimi dhe korrupsioni. KÇK nuk mund të luftojë KÇK!”, deklaroi Basha.

Përmes një reagimi të bërë ditën e shtunë, Partia Demokratike e cilësoi aktin normativ të qeverisë për krimin e organizuar si antikushtetues, që nuk forcon luftën ndaj krimit, ul standardin e goditjes ndaj krimit të organizuar dhe dublon kompetencat e SPAK-ut dhe BKH-së.

“Nëse do të zbatohej, ligji antimafia në fuqi ka mekanizma më të fortë dhe më efikasë për luftën ndaj krimit të organizuar, përmes goditjes së pasurisë së tij, por akti normativ synon të zëvendësojë SPAK-un me Ardi Veliun”, thotë selia blu.

Sipas opozitës, duke i dhënë policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese 4 vjet më parë, ligji i ri i Edi Ramës krijon bazën për krjimin e modelit të shtetit policor, ku do të goditet banda që nuk bashkëpunon për t’i ruajtur dhe për t’i siguruar pushtetin në mënyrë të paligjshme.

“Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja për të luftuar krimin e organizuar. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i krimit të organizuar. Partia Demokratike është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, që po zbras çdo ditë Shqipërinë”, thotë PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë