Politike

Betimi te “noteri”, PS tërhiqet për Vorpsin. Shtesë 60 % page për SPAK

Bledar Hoti-Nisma e mazhorancës për shmangien e ngërçit të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të asaj të Lartë, si dhe për të realizuar një procedim të shpejtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve në KLP dhe në KLGJ nuk ka gjetur në unision socialistët. Ndërsa për shmangien e përplasjes me presidentit për betimin e anëtarë të Gjykatës ka një konsensus, për çështjen e nisje së hetimit apo të procedimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dhënë vendime të dyshimta pati kontestime nga ana e vetë deputetëve socialistë. I pari që ngriti dyshime ishte socialisti Bashkim Fino, pasi deklaroi se Kuvendi ka miratuar Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. “Le ta lejmë atë që të ngrohë karrigen dhe më pas të bëjmë një analizë për mënyrën se si ka shkuar reforma në sistemin e drejtësisë. Duhet të kemi një analizë të plotë për mënyrën se si ka funksionuar KLGJ dhe KLP dhe se më pas te kemi propozime konkrete ku duhet të ndërhyjmë”, u shpreh Fino.

Komisioni i Ligjeve në mbledhjen e sotme. Gazeta Si, 6 shkurt 2020

Ndryshimit të kompetencave, duke i shkurtuar afatet kohore dhe dhënies të së drejtës së KLGJ-së dhe KLP-së për hetimin procedurial të prokurorëve apo dhe gjyqtarëve u kontestuan edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Ne nuk kishim Inspektorin e thamë kemi një vakancë, një ngërç e thamë po u japim dy këshillave një kompetencë provizore, edhe hetimin dhe gjykimin, nuk është me standarde, sepse nuk mund të bashkohen. Ne duhet ta kishim në mënyrë tranzitore. Ne sot ndodhemi në një situatë të re, që është kapërcyer ky ngërç, pra që ILD ka nisur nga puna, që do të thotë se ka rënë edhe një pjesë e qëllimit që ka kjo nismë”, u shpreh Xhafaj.

Gjithashtu Xhafaj, personi që ka drejtuar reformën në drejtësi, kërkoi që prezent të ishte edhe vetë Inspektori, ndërsa shprehu rezervat se për debatet mbi vendimet e gjyqtarëve, siç ishte rasti i Krujës, i lirimit të Endrit Dokles, u bë vetëm politik, duke folur edhe kryeministri Rama për të ashtuquaturën KÇK, ndërsa KLP dhe KLGJ nuk mbajtën asnjë qëndrim. “Unë them se ka ligje perfekte dhe gjithçka është në perfeksion. Ka nevojë për një analizë të plotë dhe të thelluar dhe për të kuptuar se çfarë pjesë e gabimeve tona, apo e nevojës që ka nevoja për ndrysimin e ligjit. I vemë vetulla mekanzimave të caktuar, apo institucioneve, por mund t’i heqim sytë reformës në drejtësi”, theksoi Xhafaj. Për procedimet e ndërmarra, për formulimet e nenit që ndërmerre në një afat kohor tre ditore për vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, eksperti i Euralius ishte pro, ashtu edhe vetë përfaqësuesi i ministrisë së Drejtësisë. Me ndryshimet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund ti kërkojë KLGJ dhe KLP të hetojnë apo të procedojë gjyqtarët dhe prokurorët dhe këto institucione duhet të japin vendim për pezullim brenda tre ditëve.

PS tërhiqet për Arta Vorspin

Në mbledhjen e komisonit të Ligjeve u disktua edhe nisma e deputetëve Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Edmons Leka për zhbllokimin e mekanizmave të betimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kështu sipas propozimeve parashikohet që nëse anëtarët nuk kryejnë betimin brenda 10 ditësh, atë mund ta realizojnë me shkrim dhe ta depozitojnë te presidenti. Por në këtë nismë ka pasur një dispozitë tjetër që kërkonte që i jepte këtyre ndryshimeve fuqi prapravepruese. “Ne tërhiqemi nga kjo dispozitë, për sa kohë kjo çështje është për shqyrtim në komisionin e Venecias”, deklaroi socialisti Adnor Shameti. Në propozimin e parë kërkohej që të kishte efekt edhe me ato anëtarë që nuk kishin kryer betimin, duke përfshirë këtu edhe Arta Vorpsin. Pikërisht kjo nismë u pagëzua me emrin “Vorpsi” u rrëzua. Tashmë pritet raporti i komisionit të Venecias për këtë çështje, si dhe mund të shqyrtohet në të ardhmen nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Propozimi i nismëtarëve ku i jepte të drejtën Vorpsit të ishte anëtare Gjykatës

Shtesë pagash për SPAK, Fino kundër

Por gjatë shqyrtimit të ndryshimeve të ligjit për “Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve” u propozua dhe që prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK  dhe të Gjykatës së Antikorrupsion t’i jepet një shtesë për vështirësi pune në masën e 60 përqind të pagës bruto. Në këtë komision propozimi ishte bërë nga vetë drejtuesit e SPAK. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, duke e cilësuar si një klandestin këtë propozim doli kundër dhe se u shpreh se kjo është lënë me propozim të Këshillit të Ministrave, pasi kjo varet nga mundësitë financiare të shtetit. “Këta nuk e sjellin as 60% të pagës neto, por në bruto për t’u paguar. Në një kohë që e kanë pagën më të lartë se sa presidenti i shtetit”, theksoi Fino, i cili kërkoi që kishte një mendim parparak nga ministria e Financave. Por pavarësisht kësaj, komisioni i Ligjeve e miratoi një propozim të tillë dhe se nisma do të paraqitete për votim në seancën e së mërkurës së ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë