Politike

Betimi tek noteri shkel Kushtetutën

Nisma e mazhorancës për të shmangur Presidentin në procesin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese bie ndesh me Kushtetutën. Ky është konstatimi i Institutit të Studimeve Politike duke shtuar se kjo praktikë nuk parashihet në ndonjë shtet tjetër europian.

“Nëse kjo klauzolë miratohet atëherë çdo gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ose i Gjykatës së Lartë, Prokurori të Përgjithshëm, etj, dhe më pas edhe zyrtarë të tjerë që e lidhin mandatin e tyre me aktin e betimit, do t’u lindë e drejta të bëjnë betimin personal në banesën e tyre, në zyrë, tek noteri, në TV, në pushime dhe kudo që ata mund të ndodhen në moment, mjafton që të firmosin një deklaratë dha ta adresojnë atë tek institucioni i emërtesës”, thuhet në një raport të ISP-së. Përcaktimi i një dispozite të tillë jashtë Kushtetutës për ISP-në do të thellojë akoma më tej krizën politike.

Raporti i ISP-së. Gazeta “Si” 4 shkurt 2020

Kushtetuta e Shqipërisë me ndryshimet që pësoi, në nenin 129 përcakton se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Në dallim nga disa kompetenca të tjera kushtetuese në këtë rast Kushtetuta nuk shprehet më tej “sipas ligjit“, por e konsideron atribut 100% të Presidentit të Republikës. Kjo është një kompetencë tipike e Presidentëve në republikat presidenciale, gjysmë-presidenciale dhe parlamentare, në rastet kur betimi nuk përcaktohet ndryshe në Kushtetutë ose në ligjin organik.

“Si e tillë, nisma e tre deputetëve për të ndryshuar këtë praktikë kushtetuese nuk ka të bëjë direkt me ligjin nr. 8577, por ka të bëjë me normën dhe nenin kushtetues, me një kompetencë kushtetuese të Presidentit. Siç dihet, Kushtetuta mund të ndryshojë përmes një procesi krejtësisht të ndryshëm dhe jo përmes nismës së tre deputetëve. Për rrjedhojë, çdo akt në këtë drejtim mund ta çojë parlamentin në shkelje të Kushtetutës dhe të bëhet burim për një krizë tjetër politike e institucionale në vend”, thuhet në raportin e ISP-së.

Këtë shqetësim, ISP-ja e ka adresuar edhe Komisionit të Ligjeve në Parlament duke paralajmëruar se kjo formë e betimit dobëson institucionet e emërtesës. “Krijimi i një institucioni të tillë paralel dhe formal betimi deformon solemnitetin dhe legjitimitetin e individëve të zgjedhur, dobëson ndjeshëm institucionin e Presidentit, institucionin e Kuvendit dhe çdo institucion tjetër emërtese, si dhe hap mundësi të reja abuzive për kriza të tjera për këtë çështje në të ardhmen”, vërehet në raport.

Opinioni i ISP-së është dhënë për dy nismat e tre deputetëve të mazhorancës për të ndryshuar ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Raporti vë në pikëpyetje përputhshmërinë e dy nismave me Kushtetutën dhe thotë se nuk ndihmon në zgjidhjen e krizave mes institucioneve.

“ISP vlerëson se nismat bien ndesh me standardin e përcaktuar në Kushtetutë dhe nuk ofrojnë zgjidhje të problematikës së krijuar në marrëdhëniet midis Presidentit, parlamentit, Gjykatës Kushtetuese, etj. ISP vlerëson se “zgjidhja e konflikteve kushtetuese mund e duhet të bëhet përmes Gjykatës Kushtetuese.   “Zgjijidhja e krizave dhe konflikteve politike mund e duhet bërë përmes maturimit dhe bashkëpunimit institucional. Bazuar edhe në praktikat tona të tranzicionit ndërhyrjet e shpejtuara ligjore dhe kushtetuese kanë rezultuar jo efikase dhe në thelb, kanë qenë të kontestueshme dhe me impakt negativ në standardet e funksionimit të shtetit të së drejtës”, thotë ISP.

Më tej jepet edhe rastet ku asnjë vend nuk e ka një praktikë alternative betimi të anëtarëve të Gjykatës ku parashikohet te presidenti, apo përpara mbretit në Spanjë.

Anëtarët në ceremoninë e betimit te presidenti Meta. Gazeta “Si” 4 shkurt 2020

“Ka vende si Republika e Kirgistanit apo Tunizia që kanë mekanizma zhbllokues, siç janë votimi në dy dhomat apo betimi para vetë Gjykatës, por së pari kemi të bëjmë me vende që nuk mund të jenë modele inspiruese për një shtet kandidat për anëtar në BE si Shqipëria dhe së dyti, lidhet me një formatim tjetër të sistemeve të tyre qeverisëse”, thuhet më tej në këtë raport.

ISP propozon që kjo nismë që nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme Kuvendi të duhet të presë opinonin e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë përplasje të re institucionale për emërimin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas konfliktit në nëntor të vitit të shkuar mbi emërimin e një anëtari të Gjykatës si emërtesë e presidentit, mazhoranca ndërmori nismën që i vë kufizim kreut të shtetit për të kryer betimin e anëtarëve, në një afat 10 ditorë. Në rast se nuk realizohet ky betim atëherë anëtari i zgjedhur e bën betimin me shkrim dhe ia dërgon presidentit.

Komisioni Ligjeve që pritet të shqyrtojë nismën e deputetëve për betimin e gjyqtarëve

Kuvendi dhe Presidenti i janë drejtuar Venecias për të interpretuar nëse ka pasur shkelje në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. PS pretendon se Meta ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Marsida Xhaferllarit, pasi nxori dekretin 30 ditë pas afatit dhe për këtë anëtare duhej të ishte zgjedhur në mënyrë automatike Arta Vorpsi. Pretendentja për anëtare e Gjykatës nisur nga refuzimi i Metës, bëri betimin përpara noterit, një praktikë ekstraligjore. Ndërsa mazhoranca e ka futur këtë shkleje në objektin e hetimit për shkarkimin e presidentit, në të njëjtën kohë i është drejtuar Komisionit të Venecias për të interpretuar nëse akti për Xhaferllarit është në përputhje me Kushtetutën ose jo.

Edhe presidenti nga ana e tij iu kundërpërgjigj me të njëjtën skemë, duke iu drejtuar Venecias për të dhënë argumentuar nëse përzgjedhja e dy anëtarëve nga Parlamenti ishte në përputhje me ligjin ose jo. Në mars pritet që Venecia të publikojë opinionin mbi procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë