Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim të posaçëm dhe sqarues sa i përket akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me shpërndarjen e maskave të skaduara. Rama ka ndërprerë mbledhjen e qeverisë që transmentohej direkte nëpërmjet rrjeteve sociale, duke sqaruar mbi të gjithë pullën e skadencës që pretendon opozita.
“Thotë një fjalë të gabosh është njerëzore dhe të këmbëngulësh është djallëzore. Është djallëzore tani kur të gjithë duhet të jemi bashkë, jo vetëm që nuk keni përgjegjësinë më minimale ndaj atyre që përfaqësoni dhe ndaj këtyre njerëzve, rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqenat edhe i hidhni njerëzve tamam në këto momente helm në gjakun e tyre të trazuar, i turbulloni shikimin me shpifje”, u shpreh kryeministri.
Por akuzat e opozitës ka detyruar Ramën që të nxjerrë edhe certifikatën e posaçme që sipas tij garanton për mallin e marrë nga Kanadaja. “Certifikata, përshkrimi antimikrobial për maskat e fytyrës dhe e bën shumë të qartë që ajo data e skadencës që rrëmoni ju nuk ka lidhje fare me përdorimin e tyre dhe jep të dhëna shumë specifike mbi mbishkrimin dhe efikasitetin e tyre. Ne këto nuk i çuam në sallat e kirurgjisë, për të cilat janë të destinuara dhe ku këto përdoren kur janë në efikasitet të plotë. Megjithëse parametrat i kanë si përqindje reduktimit të efektit 99%, pra përsëri nuk i kemi çuar atje, por i çojmë për përdorim të përditshëm të të gjithë sistemit”, theksoi Rama.
Reagimi kryeministrit solli menjëherë replikën në distancë të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili theksoi se Rama më në fund e pranoi se maskat janë të skaduara. “Më në fund e pranoi të vërtetën. Maskat janë të skaduara. Si të tilla ato nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor. Edi Rama mblidh mendjen dhe siguro jetën e qytetarëve! Lëri lojrat e fjalëve dhe fokusohu tek problemi kryesor që kanë sot shqiptarët. Nuk jemi në luftë, jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
Por Rama nuk është ndalur me kaq, duke iu kundërpërgjigjur rivalit të tij politik, duke ironizuar me fjalët se janë në luftë. “Nëse ty s’të duket luftë kjo e njeriut me virusin e panjohur, quaje gjendje e jashtëzakonshme a si të duash! Po vare të paktën atë fyell në mur e kurseja Shqipërisë avazin politik,se s’është koha për politikë kjo, po ora për t’i shërbyer popullit me forcën e shembullit njerëzor!”, shkruan Rama në rrjtet sociale.
Por nuk ka ndalur as vetë kryedmeokrati Lulzim Basha, i cili tashmë ka replikuar po në rrjetet sociale duke i dërguar mesazhe direkte Ramës në mënyrë të personalziuar. ” Kur gishti tregon hënën, i marri tregon gishtin. @ediramaal Edi Rama ministria jote e Shëndetësisë është rrumpallë, përgatitja e qeverisë tënde për koronavirusin rrumpallë, qeveria jote rrumpallë. Mblidh veten. Boll duke u ankuar dhe duke fajësuar të tjerët për dështimet e tua. MERR MASA të mbrosh mjekët dhe infermierët”, shkruan Basha.
Më tej kryedemokrati shprehet se “Lëri batutat bajate,shtroju punës për të mbrojtur shëndetin e njerëzve!Ke zgjedhur ditën e gabuar të sulmosh opozitën.Bëhu burrë dhe prano përgjegjësitë e tua!Gjendja është shumë serioze!Boll u solle si klloun,nuk është koha për të qeshur me ty”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje