Kryetari i Partisë Demokratike me anë të një konference për shtyp ka denoncuar faktin se mjekëve dhe infermierëve iu është shpërndarë maska që rezultojnë të skaduara që në vitin 2011. Duke iu referuar denoncimeve të bërë edhe më parë nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, Basha kërkoi që prokurori të nisë menjëherë hetimet mbi këtë që e cilësoi si një skandal. “Maskat e skaduara tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme. Qeveria me vetëdije ka shpërndarë maskat e skaduara, duke u vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës shtë kriminale. Ftoj prokurorinë të nisë menjëherë hetimin për vënien në përdorim të maskave të skaduara. Ky është krim. Ky akt është tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur por dhe e papërgjegjshme. Me vetëdije është bërë shpërndarje e maskave të skaduara. Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse, personeli mjekësor është i pambrojtur. Kështu rrezikohen ata, familjet e tyre dhe pacientët. Ata kështu kthehen në transmetues të virusit. Kjo është papërgjegjshmëri totale.. Kjo është papërgjegjshmëri totale”, deklaroi kryedemokrati.

Gjithashtu Basha në deklaratën e tij para medias theksoi se kjo situatë e krijuar është një kronikë e një dështimi të paralajmëruar, pas spitalet të papërgatitura për të përballuar fluksin. “Qeveria nuk ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Është urgjente akordimi i fondeve për pajisjen e stafeve mjekësore me mjetet e duhura. Detyra e qeverisë është të sigurojë këto kushte dhe jo të bëjë shou dhe propagandë. Përsëris kërkesën që pas mbylljes se shkollave, kopshteve dhe çerdheve shteti të paguajë apo kompensojë njërin nga prindërit që të kujdeset për fëmijët”, tha më tej Basha në deklaratën e tij. Gjithashtu ai i bëri apel banorëve që të kenë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse dhe të mos ngurrojnë që t’i drejtohen mjekëve për çdo shqetësim që ato kanë. “Një nga faktorët kryesor për parandalimin e epidemisë është higjiena, qeveria ka harruar personat e dëmtuar nga tërmeti. Ata janë harruar ose janë kthyer në banesat e dëmtuara. Ju bëj thirrje të mos neglizhoni asnjë shenjë, por t’i drejtohen mjekëve specialist. U bëj thirrje mjekëve që të mos tregojnë asnjë lloje droje, por të kërkojnë dhe të bëjnë kërkesa që t’u shërbehet sa më mirë qytetarëve. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por qytetarët janë të rëndësishëm. Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet dhe jo të bëj propagandë. Nëse u krijohen kushtet mjekët tanë do bëjnë më të mirë. Fondi për ngritjen e karantinës është akorduar vetëm një ditë më parë”, u shpreh Basha.
Por menjëherë pas këtij reagimi të liderit të PD-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke i cilësuar si shpifje faktins e janë shpërndarë maska të skaduara për personelin mjekësor.
“Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!”, reagoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje