Ne rrjet

I gjithë Ballkani në “shtetrrethim” nga koronavirusi

Në Greqinë fqinje është shënuar viktima e tretë nga koronavirusi ndërkohë që i gjithë rajoni ka mbyllur sot kufijtë.

Një 92-vjeçare që u diagnostikua me koronavirus ka humbur sot jetën ndërkohë që dy të afërm të së moshuarës janë izoluar në spital.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë Sotiris Tsiodras të premten njoftoi masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke thënë se të gjitha qendrat, kafenetë, baret do të mbyllen megjithëse supermarketet do të mbeten të hapura.

“Pikat ushqimore që ofrojnë dërgimin e porosive në shtëpi do të jenë në gjendje të rrinë hapur”, tha ai. Masat erdhën disa orë pasi Ministria e Kulturës njoftoi se të gjitha muzetë dhe vendet arkeologjike do të mbyllen për dy javë. Ndërkohë, numri i rasteve të koronavirusit në Greqi është rritur në 190.

Policia serbe patrullon qytetet, Gazeta Si, 2020

Ndërkohë, Serbia, Shqipëria dhe Rumania kanë mbyllur shumë prej vendkalimeve kufitare për të luftuar përhapjen e koronavirusit, duke paralizuar kalimin në pjesë të Ballkanit.

Të gjitha vendet e rajonit ose kanë ndaluar hyrjen ose kanë prezantuar masa speciale kufizuese për pasagjerët që vijnë nga vendet e rrezikuara nga koronavirusi.

Serbia ka mbyllur 44 vendkalime kufitare me Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kroacinë, në mënyrë që policia e saj kufitare të mund të përqendrohet në vendkalimet kryesore dhe më të përdorura. Në Serbi ka 1 rast të konfirmuar me koronavirus.

Rumania ka mbyllur disa pika kalimi që lidhin vendin me tokë me fqinjët e saj. Mbylljet prekin pikat kufitare me Hungarinë, Ukrainën, Bullgarinë dhe Moldavinë, njoftoi Ministri i Brendshëm, Marcel Vela.

Ai gjithashtu tha se autoritetet serbe kishin mbyllur në mënyrë të njëanshme disa pika kalimi, me sa duket pa njoftuar së pari Rumaninë. E gjithë qeveria rumune është në izolim ndërkohë që numri i rasteve ka arritur në 70.

Shqipëria ka mbyllur në mënyrë të njëanshme disa vendkalime kufitare me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut ku numri i të prekurve ka arritur në 13 nuk ka mbyllur asnjë kufi deri më tani, por, si rezultat i lëvizjeve të njëanshme të bëra nga fqinjët e saj, dy vendkalimet me Serbinë dhe tre me Shqipërinë janë mbyllur.

Kroacia, ku ka 31 raste gjithashtu nuk ka mbyllur kufijtë e saj, madje edhe me Italinë, vendi më i prekur në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë