Politike

PE vlerëson masat kufizuese në Shqipëri dhe ndryshimet në Kodin Penal

Parlamenti Europian mendon se masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit në vendin tonë janë në përputhje me masat e ndërmarra nga vendet e BE-së dhe mbështet ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ku u përfshinë ndëshkimet me burg për përhapje të sëmundjeve infektive.

Në një intervistë dhënë për “European Western Balkans”, raportueses për Shqipërinë në PE, Isabel Santos i kërkohet një mendim nëse i sheh të ashpra, apo proporcionale me situatën masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e lëvizjes për qytetarët.

“Masat kufizuese të ndërmarra në Shqipëri janë në të njëjtën linjë me ato që janë ndërmarrë nga shumë vende, edhe të BE-së, përfshirë vendin tim (Portugalinë). Isha në dijeni se në Kodin Penal nuk kishte asnjë paarashikim për përhapjen e sëmundjeve infektuese dhe ishte e nevojshme amendimi i tij”, deklaroi eurodeputetja Santos.

Megjithatë, përfaqësuesja social-demokrate në Parlamentin Europian e vlerëson si joproporcional dhe të ashpër propozimin fillestar të socialistëve, ku parashikohej ndëshkimi deri me 15 vite burg për përhapjen e sëmundjeve infektive.

“Pavarësisht joproporcionalitetit të propozimit fillestar, me ndihmën e aktorëve të shoqërisë civile dhe ligjvënësve u arrit një zgjidhje në përputhje me atë që është në fuqi në vendet e tjera. Në vendin tim aplikohet gjoba dhe burgu deri mbi tre vite”, thotë Santos.

Raportuesja për Shqipërinë në PE mendon se masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare kanë qenë në kohë dhe vlerëson vendimet për të dyfishuar ndihmën sociale dhe rialokimin e fondeve shtesë në zërin e mbrojtjes civile.

Sa u takon negociatave, Isabel Santos deklaron se hapja e tyre është një vendim i merituar dhe se Shqipëria kishte plotësuar kushtet. Megjithatë, para se negociatat të hapen zyrtarisht, Shqipëria duhet të përmbushë disa kushte shtesë, mes të cilave përmbylljen e reformës në drejtësi, ku përfshihet ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore.

Për reformën zgjedhore, Santos thotë se situata e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit nuk ndihmon, por përshëndet vullnetin e palëve politike në Shqipëri për zgjatjen e mandatit të Këshillit Politik, organi ekstraligjor i ngritur në fillim të këtij viti me detyrë përmbylljen e reformës zgjedhore brenda datës 15 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë