Futboll

Italia si Holanda, stop pa titull kampion dhe 22 skuadra sezonin e ri

Qeveria italiane, Liga e Serisë A dhe Federata Italiane e Futbollit po punojnë, – jo pa polemika, – për rifillimin e kampionatit, por duhet menduar edhe për hipotezën e mbylljes përfundimtare, me të gjitha pasojat që ajo do të sillte.

“Gazzetta dello Sport” shkruan për një skenar të ngjashëm me atë të Holandës, që nënkupton ngrirjen e klasifikimit aktual, sipas të cilit 6 skuadrat e para do të kualifikoheshin për në kupat e Europës. Nuk do të ketë titull kampion (me renditjen aktuale i takon Juventusit, në Holandë nuk ia akordua Ajaksit) dhe ndryshon mekanizmi i rënies nga kategoria.

Skenari i parë është për të pasur një kampionat me 22 skuadra në Serinë A sezonin 2020/21. Nuk ka rënie nga kategoria dhe anulohet “Play-off”-i i Serisë B. Një tjetër hipotezë është rënia e dy skuadrave të fundit në tabelën e klasifikimit dhe ngjitja e dy skuadrave nga Seria B, duke mos e ndryshuar numrin e 20 skuadrave në A.

Kapitulli i të drejtave televizive lihet mënjanë, sepse është një temë delikate që duhet zgjidhur. Me siguri do të rishihet shkurtimi i pagave, pasi klubet nuk do të arkëtojnë. Nëse qeveria i thotë “Stop” kampionatit, klubet do të përplaseshin jo pak me Sindikatën e Futbollistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë