Politike

Arrestimet për Teatrin, Meta: Të burgosur politikë! Lirojini!

Presidenti Ilir Meta i cilëson kryekëput politike të gjitha arrestimet dhe procedimet penale të nisura nga policia për protestuesit që kundërshtuan shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe kërkon lirimin e tyre.

“Të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të Teatrit Kombëtar janë vetëm politike. Lironi të burgosurit politikë në Shqipëri në 2020”, deklaroi kreu i shtetit përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale.

Presidenti e shoqëron këtë reagim me një fotografi të shkrepur nga protesta e disa aktivistëve para gjykatës së Tiranës, mes të cilëve edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje të Qendrës së Tiranës, ku kërkohet lirimi i Boiken Abazit, drejtuesi i VV-së në Shqipëri.

Meta thotë se vetë operacioni i shembjes së Teatrit është “kryevepra e asgjësimit përfundimtar të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

Një ditë më parë, Presidenti Meta përsëriti premtimin e tij se ajo se çfarë ndodhi më 17 maj është e pafalshme.

“Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u trondit. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë