Politike

Opozita flet për propozimin e SHBA dhe nuk tërhiqet nga qeveria tranzitore

Opozita mirëpret aktivizimin e amerikanëve dhe përpjekjet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje dhe modeli të dakordësuar për reformën zgjedhore, por thotë se ende nuk ka përpara një propozim konkret.

“Ne duhet të shikojmë propozimin zyrtar të ambasadës dhe e bërë nga SHBA është më e rëndësishme. Basha e tha që ne nuk kemi asnjë pretendim për sistemet dhe të gjykojmë që SHBA ka bërë një propozim të mirë në këtë mes. Por, na duhet një propozim zyrtar”, deklaroi në një intervistë për News24 kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi pas takimit me Presidentin Meta.

Shehi deklaroi se opozita nuk e braktis tryezën e reformës zgjedhore, por as mbështetjen për protestat ndaj kujtdo grupimi që siç tha ai, “ngre dorën ndaj këtij regjimi”.

“Ne kemi dy linja. Linja e parë është protesta dhe linja tjetër paralele për të shkuar tek zgjedhjet e reja me një kod të ri zgjedhor që u jep shqiptarëve të drejtën të votojnë të lirë dhe të ruhet vota”, tha ai.

Kreu i LZHK-së theksoi këmbënguljen e opozitës për të mos u tërhequr nga pesë kushtet që ka vendosur, sidomos kushtit për qeveri tranzitore.

“U qëndrojmë pesë pikave, sidomos pikës që kemi ne më për zemër që të ketë një qeveri tranzitore përpara, që të na garantojë, jo ne, por kushdo që është në opozitë të ketë një qetësi duke patur një qeveri kujdestare përpara”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë