Në takimin me Lulzim Bashën dhe aleatët opozitarë, Presidenti Ilir Meta e ka vlerësuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar jo vetëm si antikushtetuese dhe kriminale, por edhe një provokim për opozitën e bashkuar.
Takimi ka zgjatur rreth 60 minuta dhe ishte thirrur me kërkesë të Presidentit. Presidenca thotë se pasi Meta falenderoi drejtuesit opozitarë për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga Covid-19 shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.
Në njoftimin e shpërndarë, Meta ka nxitur gjithashtu opozitën që të rikthehet në Këshillin Politik për të treguar vullnetin në rikthimin e legjitimitetit të të gjitha institucioneve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ndërkohë, Lulzim Basha deklaroi në fund të takimit se “shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët”. Basha tha gjithashtu se temë diskutimi kishte qenë edhe rrugëdalja nga kriza, që për opozitën është vetëm një; zgjedhjet.
“Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do shpëtojnë kur të bashkuar kundër së keqes do t’ju drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë kreu i PD.
Ambasadorët tek Meta, priten nga këshilltarët e tij
Ambasadorët e SHBA dhe të Gjermanisë kanë përshkallëzuar përpjekjet në zbutjen e toneve të klasës politike dhe rikthimin në tryezën e Këshillit Politik për miratimin e reformës zgjedhore.
Pas takimeve ditën e djeshme me Kryeministrin, Yuri Kim dhe Peter Zingraf iu drejtuan paraditen e kësaj të enjteje Presidencës, ku mësohet se janë pritur nga këshilltarët e Presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit ndodhej në Pallatin e Brigadave në takim me Lulzim Bashën dhe drejtuesit e tjerë të opozitës.
Në takimin e zhvilluar një ditë më parë me Kryeministrin Edi Rama, ky i fundit tha se temë kryesore e bisedës kishte qenë reforma zgjedhore dhe rikthimi i opozitës në tryezën e Këshillit Politik.
Por, temë diskutimi ka qenë edhe kriza politike dhe përshkallëzimi i tensioneve pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje