Futboll

5 humbje radhazi dhe 21 pikë larg Tiranës, Partizani në krizë identiteti

Kush ka parë Partizanin e sezonit të kaluar, – Partizanin e Gegës që u kthye te titulli pas 26 vjetësh, – nuk u beson syve teksa sheh po këtë ekip aktualisht në fushë. Një kopje shumë e shëmtuar e fanellës së kuqe dhe problemi i përhershëm i drejtimit teknik italian. Presidenti Gaz Demi tashmë ka hequr edhe fiksimin e fundit, nuk do të ketë më asnjë pishman pse e ka larguar Adolfo Sormanin pak vite më parë nga stoli i Partizanit, sepse ky trajner po e çon skuadrën drejt greminës.

Janë 5 humbjet radhazi në kampionat, e fundit me Kukësin, që flasin qartë, tregues që nuk mbahet mend se kur Partizani e ka regjistruar për herë të fundit, ndoshta kur binte një kategori më poshtë. Po ashtu, 21 pikët e diferencës me Tiranën kryesuese të lënë të kuptosh se problemi te të kuqtë është shumë i thellë, me siguri nuk është vetëm çështje trajneri. Ikja e Franko Lerdës dhe rikthimi i Adolfo Sormanit rezultoi një “nga shiu në breshër”. Partizani është i teti në renditje dhe i duhet ndeshje shtesë që të qëndrojë në Superiore, por deri në fund të kampionatit me siguri do ta largojë rrezikun e madh.

Nga ndeshja Partizani-Kukësi, 1-3. Gazeta Si, 8 qershor 2020

Problemi kryesor është transformimi në sensin negativ i ekipit kampion në fuqi, që u duk se rihapi një cikël me titullin e fundit. U fol se Partizani do të ishte Skënderbeu i ri, por situata u përmbys shumë shpejt me ardhjen e Lerdës në stol e tani me Sormanin. Një krizë e vërtetë identiteti dhe lëvizjet në formacion në ndeshjen me Kukësin treguan çoroditjen totale te të kuqtë. Tifozët janë krejtësisht të zhgënjyer dhe i kërkojnë presidentit Demi largimin e menjëhershëm të trajnerit, të tjerë fajësojnë drejtorin e përgjithshëm Olsi Rama. Fakt është se Partizani është në kaos dhe presidenti Demi është vënë në siklet.

Largimi i trajnerit do të ishte lëvizja më e thjeshtë, e justifikojnë 5 humbjet radhazi dhe pozicionimi në zonën e rënies, por çështja është se kujt mund t’i besohet në këtë moment për të sistemuar gjërat në klubin e kuq. Në raste të tilla ndodh që i besohet një njeriu të familjes, por te Partizani alternativat janë të kufizuara nga stafet italiane. Zërat e fundit janë për spostimin e Sormanit në një pozicion tjetër në klub, që do të thotë “largim me stil”, por klubi i kuq ende nuk ka marrë asnjë vendim. Dy ndeshjet e radhës janë me dy skuadrat e rëna një kategori më poshtë dhe drejtuesit kanë kohën e duhur për të mos marrë një tjetër vendim të gabuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë