Marrëveshja PS-PD-LSI në Këshillin Politik rrezikon që të mos kalojë në Parlament, për shkak të qëndrimit të opozitës parlamentare. Kjo e fundit prej dy ditësh i kërkoi Kryeministrit Edi Rama një takim, ftesë të cilën Rama e pranoi këtë të mërkurë.
Takimi nisi rreth orës 19:00 në selinë e Kuvendit, në të njëjtën godinë ku gjatë paradites, Myslim Murrizi, Nimet Musaji dhe Edmond Stojku shqiptuan tre kërkesat për të votuar paktin e arritur me ndërmjetësimin e fortë amerikan në Këshillin Politik. Ato janë hapja e listave, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe vota e emigrantëve.
Por, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi gjatë konferencës së mbajtur, ku njoftoi emëtimin e Eurobondit 650 mln eurosh se nuk mund të lëshonte më nga marrëveshja e arritur, që sipas tij, u bë vetëm për të rikthyer në sistem Lulzim Bashën.
Nga ana tjetër, Rudina Hajdari, edhe pse firmëtare e marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, paralajmëroi se nuk do ta votojë atë në Parlament. Ajo i kërkoi PS-së që të mbajë premtimin e dhënë, sipas të cilit do të shqyrtohej kërkesa për ndryshim sistemi pas marrëveshjes në Këshill dhe përdori termat e Yuri Kim për t’iu drejtuar Kryeministrit.
“Pa hapjen e listave nuk kemi asgjë në rregull. Sot kemi ardhur të shikojmë nëse Edi Rama e ka të vërtetë këtë, apo jo, apo do ta marrë edhe ai topin e do ta fshehë e nuk do ta japi premtimin që ka dhënë. Ne e mbyllëm detyrën tonë e nënshkruam atë marrëveshje, tani topi është në dorën e Edi Ramës për të thënë do ta bëjmë ndryshimin e sistemit apo jo”, tha Hajdari.
Hajdari nuk përmendi emra, por tha se deputetë të opozitës parlamentare po shantazhohen.
“Ky është shansi për PS që të mbajë premtimin e të ecim përpara duke ndryshuar sistemin zgjedhor, e jo duke marrë deputetë e shantazhuar deputetë për të votuar atë reformë”, u shpreh ajo.
Opozita parlamentare e vendosur…por jo e bashkuar
Opozita parlamentare ka vendosur bojkotimin e punës së komisioneve në Parlament deri në një takim me Kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar propozimet e tyre në lidhje me reformën zgjedhore.
Myslim Murrizi si përfaqësues i grupit parlamentar demokrat, Nimet Musaj si përfaqësues i grupit parlamentar të pavarur dhe Edmond Stojku si kryetar i grupit parlamentar “Demokraci dhe drejtësi” u takuan këtë të mërkurë me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Të tre përfaqësuesit e opozitës parlamentare folën me bindje se nëse nuk votohen propozimet e tyre për reformën zgjedhore nuk do ta votojnë atë në Parlament.
“Jo arnime të Kodit. Grupi parlamentar që përfaqësoj nuk do të votojë reformën nëse nuk merren në konsideratë hapja e listave, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe vota e emigrantëve”, deklaroi deputeti Myslim Murrizi.
Nimet Musaj vlerësoi takimin me Ruçin, por kërkoi që palët të rikthehen në tryezë me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për të miratuar ndryshimet e tjera.
“Këshilli Politik nuk arriti qëllimin pse u mblodh. Shqiptarët nuk morën listat e hapura, depolitizimin dhe votimin e emigrantëve. Me Murrizin dhe Stojkun, presim kryeministrin. Të jeni të bindur se 31 deputetë nuk do ta votojnë këtë produkt të këitj Këshilli. Kemi kohë që të shikojmë deri në fund të korrikut edhe njëherë listat e hapura, depolitizimin e administratës dhe votën e emigrantëve”, tha Musaj.
Edmond Stojku tha se si aktore e vërtetë e reformës zgjedhore duhet të trajtohet opozita parlamentare dhe jo opozita në Këshillin Politik.
“Në rang institucional të kërkesave kërkuam takim me kryetarin e Kuvendit dhe diskutuam për mundësitë duke theksuar me të madhe që reforma zgjedhora ka faktorë dhe aktorë. Faktorët mund të japin propozime, por janë aktorët ata që vendosin. 39 deputetë kanë firmosur para një viti, të rifirmosur para 1 jave të gjithë kërkojmë takim me Kryeministrin Rama. Duke pritur Kryeministrim morëm vendimi që të mos vazhdojmë më mbledhjet e komisioneve parlamentare”, tha Stojku.
Mes palëve nuk ka patur dakordësi, por kjo nuk do të thotë se opozita parlamentare mund të bllokojë paktin e arritur në Këshillin Politik. Vetë deputetët opozitarë nuk janë të unifikuar në qëndrimet e tyre. Lefter Maliqi deklaroi publikisht pro me bindjen se pavarësisht listave të hapura, apo të mbyllura, Edi Rama nuk i fiton më zgjedhjet. Po ashtu, votë pro pritet edhe nga Rudina Hajdari, si një nga firmëtaret e ujdisë dhe duke njohur bashkëpunimin me ndërkombëtarët edhe nga Ralf Gjoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje