Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari janë dy deputetët e Partisë Demokratike që nuk iu bashkuan vendimit politik të opozitës për të dalë jashtë dyerve të Kuvendit.
Të tjerët përfaqësojnë mandate zëvendësuese nga listat shumëemërore të partive që bojkotuan Kuvendin. Dhe asgjë më shumë. Ata nuk përfaqësojnë më politikisht as partitë që i vunë në lista nga fundi për kandidatë për deputetë, pas një vendimi në struktura për t’i përjashtuar.
Nuk janë të votuar drejtpërdrejtë nga populli, nuk kanë pasur ndonjë peshë politike nga partitë “mëma” dhe përveçse janë një rreshtim numrash në Kuvend, deputetët e opozitës parlamentare, (përjashto dy tre prej tyre) nuk mund t’i veçosh për asgjë tjetër.
Thënë kjo, lind natyrshëm pyetja se sa seriozisht duhen marrë ata në aksionin e tyre për moskalimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend.
Myslim Murrizi si përfaqësues i grupit parlamentar demokrat, Nimet Musaj si përfaqësues i grupit parlamentar të pavarur dhe Edmond Stojku si kryetar i grupit parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi” u takuan këtë të mërkurë me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ata i kujtuan atij se kanë 31 deputetë në Kuvend dhe se pa u miratuar tre kërkesat e tyre; lista të hapura, vota e emigrantëve dhe depolitizimi i administratës, ata nuk do të votojnë ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, më pak fjalë nuk do të votojnë paktin që kanë firmosur ata që kanë edhe mbështetjen në popull PS-PD dhe LSI.
Ta marrësh nga ana formale, “de jure” atyre u lind kjo e drejtë.
Ta marrësh nga ana etike, morale e politike ata nuk kanë asfare të drejtë. E para sepse ata erdhën në Kuvend si rezultat i deformimit të përfaqësimit politik, e dyta sepse deri më tash kanë bashkuar rregullisht votat me nismat e mazhorancës, dhe këtu flasim për ato nisma të kontestuara gjerësisht nga shoqëria civile dhe institucionet, dhe së treti oponenca e tyre parlamentare ka qenë në kufijtë minimal dhe në disa raste ndjeshëm për të dëshiruar
“…Në total ajo (PS) ka ruajtur mesatarisht 88% të votave të Kuvendit, pra 38% më shumë sesa i duhen për miratimin e ligjeve (50%+1) dhe 28% të 140 deputetëve më shumë sesa numri i votave që i duhen për të miratuar ligje organike, me shumicë të cilësuar …”, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Studimeve Politike, ku vlerësonte ndër të tjera se kjo opozitë e re e kishte rritur frikshëm përfaqësimin e mazhorancës në Kuvend me 42%.
Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, mazhoranca fitoi 74 mandate dhe gjatë vitit të parë mori mbështetjen edhe të katër deputetëve të tjerë (3 PDIU dhe 1 PSD).
Për të kaluar ndryshimet në Kod duhen 84 vota dhe, me ecurinë e deritashme, Rama nuk e ka aspak të vështirë për të arritur kuorumin.
Këtij kuorumi mund t’i bashkohet formalisht jo vetëm Rudina Hajdari që është pjesë e Këshillit Politik, Ralf Gjoni që gëzon mbështetje tek ndërkombëtarët, por edhe deputetë si Lefter Maliqi që e deklaroi pro votën për Kodin.
Ai tha se, në dijeninë e tij janë edhe 6 deputetë të opozitës parlamentare që pritet të votojnë pro reformës. Aq sa për të kaluar Kodin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje