Politike

U tërhoqën nga nisma e Murrizit, 5 deputetë takojnë Ruçin: Duam lista të hapura

Një grup deputetësh opozitare janë tërhequr nga nisma e Myslim Murrizit dhe kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, po për zgjedhjet. Nga nisma e Murrizit, ata kundërshtojnë pragun 5% për partitë e vogla për hyrjen në parlament dhe mbi të gjitha ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Në takim ishin të pranishëm deputetët  Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Vasil Steriovski dhe Zef Shtjefni.

Deputetët i paraqitën Ruçit kërkesat e tyre për përfshirjen në reformën zgjedhore të sistemit proporcional kombëtar, listave të hapura, heqjen e pragut elektoral, votimin e emigrantëve, identifikimin biometrik të votuesve, ndalimin e financimit të partive në fushatat zgjedhore nga buxheti i shtetit etj.

Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit,  Gramoz Ruçi, i garantoi deputetët opozitarë  se propozimet për nismat ligjore duhet t’i formulojnë e t’i paraqesin në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në komisionet e Kuvendit dhe në seancë plenare.

“Procedurat parlamentare që do të ndiqen nuk do të cenojnë aspak, por do të respektojnë plotësisht të drejtën e secilit deputet për të propozuar, diskutuar, shqyrtuar, votuar ose kundërshtuar nismat ligjore që paraqiten në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë