Këshilli Europian vendosi hapjen e negociatave për Shqipërinë më 24 mars, por duke cituar më parë plotësimin e disa kushteve. Tre prej këtyre kushteve, ngritja e Gjykatës Kushtetues, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore duhej të plotësoheshin në mënyrë që të shkohej drejt mbledhjes së parë ndërqeveritare, ndërsa pjesa tjetër e tyre gjatë fazës së negociimeve.
Megjithatë, si rrallëherë në historinë e tij, Parlamenti Europian, që për katër vite me radhë i ka bërë thirrje Këshillit të Ministrave të BE-së që të hapë pa kushte negociatat me Shqipërinë, këtë vit jo vetëm që mbështeti kushtet e vendosura nga Këshilli, por i përforcoi me 15 të tilla dhe duke kërkuar përmes një rezolute që ato të plotësohen që të gjitha para mbledhjes ndërqeveritare mes delegacionit shqiptar dhe atij të vendeve anëtare të BE-së.
Pjesa më e madhe e kushteve janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin, që do të thotë se plotësimi i njërit, passjell në mos plotësim, avancim në kushtin tjetër. Si shembull, nëse do të plotësohet kushti numër 2, që lidhet me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, atëherë do t’i hapej rruga plotësimit të kushtit numër 12, që lidhet me kërkesën e BE-së për vlerësimin e ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të qershorit 2019.

Në bazë të kësaj liste, kushtet e mësipërme mund të grupen duke përdorur si kritere ndarjeje tematikën, periudhën kur janë përcaktuar si kushte, apo edhe nismëtarët e tyre. Pjesa dërrmuese e tyre lidhen me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Në këtë kategori përfshihen kushtet 2, 3, 4, 5, 8 dhe 9, që kanë të bëjnë që të gjitha drejtpërdrejtë, ose tërthorazi me reformën në drejtësi.
Në ndarjen sipas kohës së tyre, kushti më i ri është ai që lidhet me rishikimin e ligjit të medias dhe përshtatja e tij sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe sipas ndarjes se kush ka qenë propozues, apo nismëtarë, janë tre kushte që janë përfshirë edhe falë lobimi të fortë të eurodeputetëve grekë.
Bëhet fjalë për kushtin për plotësimin me aktet nënligjore të ligjit për pakicat kombëtare, për kushtin e miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe kushti tjetër që lidhet me procesin e regjistrimit të pronave.
Në çfarë faze është procesi i plotësimit të kushteve
Reforma zgjedhore – Palët u ulën në fillim të janarit me zotimin për të ndërmarrë një reformë zgjedhore edhe si detyrim ndaj procesit të integrimit dhe plotësimit të një kushti të vendosur nga BE. Por, më 5 qershor ato firmosën një marrëveshje, që nuk adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ku “reforma” më e madhe është ndryshimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përdorimi i teknologjisë në identifikimin e votuesve. Aktualisht palët kanë ngecur në formulën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Pakti parashikon adresimin në zgjedhjet pasrendëse të zgjedhjeve të para parlamentare dhe vendore të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mes të cilave edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Mbetet për t’u parë, në rast finalizimit të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, nëse BE do ta pranojë si plotësim, apo do të vazhdojë të këmbëngulë tek kjo pikë.
Gjykata Kushtetuese – Pas emërimit të 4 anëtarëve (njëri prej të cilëve Besnik Muçi, që më pas u shkarkua nga vettingu) vjeshtën e vitit të kaluar, procesi për plotësimin e trupës së kësaj gjykate ngeci dhe shkak për këtë u bë edhe përplasja mes Presidencës dhe Parlamentit për Ardian Dvoranin. E plotë gjykata duhet të ketë nëntë anëtarë, ndërsa aktualisht gjykata përbëhet nga katër anëtaret Vitore Tusha, e vetmja që i mbijetoi vettingut, Marsida Xhaferllari, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Për plotësimin e kuorumit minimal për vendimmarrje, nevojitet emërimi edhe i dy anëtarëve të tjerë.
Gjykata e Lartë – Në këtë trupë situata është edhe më e vështirë. Në shkurt-mars, Ardian Dvoranit, anëtarit të vetëm që i mbijetoi vettingut e dorëheqjeve (me përjashtim të Medi Bicit që u zgjodh në KLGj) iu bashkuan gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, duke e çuar përkohësisht në katër numrin e anëtarëve. Por, shifra u reduktua shpejt, pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor që deklaroi përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i kësaj gjykate. Në kushte normale, kjo gjykatë duhet të ketë 19 anëtarë.
SPAK dhe Gjykatat e Posaçme – Gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të apelit, megjithëse me numër të reduktuar gjyqtarësh janë funksionale dhe kushti i përmendur nga BE lidhet më fort me SPAK-un dhe plotësimin e organikës së këtij institucioni. Me emërimin nga të komanduar në të përhershëm të Dritan Premcit dhe Vladimir Marës në Prokurorinë e Posaçme, u plotësua numri prej 10 anëtarësh në këtë prokurori. Por, puna është zvarritur në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si me plotësimin me stafin e nevojshëm, ashtu edhe me emrin që do ta drejtojë. Së fundmi katër emrat në garë për kreun e kësaj strukture, që do të funksionojë si krahu i djathtë i prokurorëve të posaçëm kaluan me sukses procesin e dekriminalizimit.
Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – Kushti mund të lidhet ngushtësisht me plotësimin e organikës së SPAK dhe të BKH-së. Megjithatë, prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme është funksionale. Një bilanc i punës së saj pritet të kalojë në sitën e Komisionit Europian, për ta pasqyruar në raportin e vjeshtës. Më shumë se sa SPAK, ajo që mund vlerësohet nga Brukseli në raportin e radhës është operacioni për verifikimin e aseteve të grupeve kriminale. Ligji në fjalë është përmendur në kancelaritë perëndimore si dëshmi e vullnetit të Shqipërisë për të avancuar në drejtim të plotësimit të këtij kushti.
Ulja e numrit të azilkërkuesve – Gjatë 2019 numri i shqiptarëve që kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian u ndal në rreth 16 mijë vetë, nga 19 mijë që u regjistruan përgjatë 2018-ës. Ulja është e pamjaftueshme për një pjesë të eurodeputetëve, që kërkojnë më shumë përpjekje nga Qeveria shqiptare për të reduktuar fenomenin.
Rishikimi i ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Venecias – U përfshi mes kushteve pas shqetësimit të ngritur nga organizata dhe shoqata vendase e ndërkombëtare të mediave për draftin fillestar të ligjit, që i jepte kompetenca gjykata Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe AKEP-it për të gjobitur dhe mbyllur mediat online. Projekti u vlerësua mjaft problematik nga OSBE dhe KiE, që adresuan shqetësimet e tyre në Venecia. Kjo e fundit ka dalë me rekomandimet përkatëse dhe Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që pa humbur kohë të adresohen këto rekomandime në Kuvend dhe të miratohet paketa, që ai e quan “Antishpifje”.
Progres në reformën në drejtësi – Ky kusht mund të interpretohet si kushti më evaziv i BE. Nëse rikthehet në funksion Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë dhe plotësohet SPAK me BKH-në, a do të interpretohen ato si progres në reformën në drejtësi? Gjithsesi, veç këtyre, progresi në reformën në drejtësi lidhet ngushtësisht me procesin e vettingut, që aktualisht është ende larg përfundimit të rivlerësimit të të gjitha trupave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Hetimi i zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion – Në këtë pikë, të vetmi që janë nën gjykim për akuzën e shpërdorimit të detyrës janë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërkohë që një hetim për çështjen e pronave në bregdetin e Durrësit mori udhë pak kohë më parë duke çuar në prangosjen e një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh. Një tjetër rast ishte edhe marrja nën hetim e ish-kryebashkiakut të Hasit që akuzohet për shpërdorim detyre dhe përvetësim të pronës shtetërore. A do të jenë këto të mjaftueshme për Brukselin që ta konsiderojë të plotësuar këtë kusht?
Progres në reformën e administratës publike – Në raportin e vjeshtës së vitit të kaluar Komisioni njeh përparim në këtë pikë, por kërkon përshkallëzim të përpjekjeve, sidomos në drejtim të depolitizimit të administratës publike. Por, nga momenti i publikimit të këtij raporti e deri më tani përplasja për çështje që politika i ka vlerësuar më madhore e kanë lënë në hije këtë kriter.
Zbatimi i reformës zgjedhore – Për të parë plotësimin e këtij kushti, Brukseli dhe shqiptarët mund të duhet që të presin më shumë se 8 vite. Marrëveshja e arritur në Këshillin Politik më 5 qershor nuk parashikon reformim të sistemit për zgjedhjet e radhës, por pas tyre. Kjo do të thotë se për të marrë vlerësim për progresin e bërë në këtë pikë mund të duhet ende shumë kohë.
Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 2019 – Për plotësimin e këtij kushti është i domosdoshëm plotësimi i parakushtit; ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias u distancua nga interpretimi i ligjshmërisë së procesit zgjedhor dhe me këtë detyrë ngarkoi institucionet shqiptare. I vetmi institucion që mund të bëjë këtë është pikërisht Gjykata Kushtetuese.
Aktet nënligjore të ligjit për pakicat kombëtare – Është një prej atyre kushteve të vendosura edhe me lobimin e eurodeputetëve grekë dhe të tjerë. Në raportin e fundit të Komisionit vlerësohet miratimi i këtij ligji në Parlament, si një hap drejt përafrimit të plotë të legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së, por vihet theksi tek nevoja e nxjerrjes së urdhrave, udhëzimeve dhe akteve të tjera nënligjore në mënyrë që ligjit të jetë plotësisht funksional.
Miratimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë – Ky kusht është kërkuar me ngulm nga Greqia dhe eurodeputetët grekë, që krahas kësaj i kanë ushtruar “trysni” Komisionit që të përdorë ndikimin e vet në Tiranë në mënyrë që “njerëzit të deklarojnë me vullnet të lirë kombësinë e tyre”. Ligji duhej të ishte miratuar për të vazhduar më pas me regjistrimin e popullsisë, por ai është ende në diskutim, duke e shtyrë pa afat procesin e regjistrimit.
Regjistrimi i pronave – Edhe ky kusht është kërkuar nga Greqia, që ka akuzuar disa herë nisma të Qeverisë shqiptare në jug të vendit si “përpjekje për të zhveshur nga prona minoritarët grek, sidomos në zonat bregdetare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje