Politike

PE “zyrtarizon” 15 kushtet për negociatat, rekomandimi votohet edhe nga të majtët

Parlamenti Europian ka votuar mbrëmjen e së enjtes rekomandimin drejtuar Këshillit, me anë të të cilit “zyrtarizon” kërkesën e institucioneve të Bashkimit Europian, që Shqipëria të plotësojë 15 kushtet para se të zhvillohet takimi i parë ndërqeveritar në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Rezoluta ishte nismë e partive të djathta europiane, por ajo mori edhe mbështetjen e një pjese të eurodeputetëve të majtë, duke u miratuar me 388 vota pro dhe 280 kundër. Teksti është i shkurtër, por i drejtpërdrejtë.

Faksimile e rekomandimit të PE për Këshillin. Gazeta Si, qershor 2020

“(PE)…thekson se Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Europian para konferencës së parë ndërqeveritare me vendet anëtare të BE”, thuhet aty.

Rekomandimi i Parlamentit Europian ka një ndryshim thelbësor në krahasim me propozimin e vjeshtës së vitit të kaluar të Këshillit, ku para hapjes formale të negociatave kërkohej plotësimi i 3 kushteve që lidheshin me sistemin e drejtësisë dhe reformën zgjedhore dhe si afat përcaktohej gjysma e parë e këtij viti.

“Para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, jo më larg se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të përparimit të shënuar, Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe të shënojë përparim të mëtejshëm në reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, thuhej në dokumentin fillestar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë