Politike

Basha thërret kryesinë, PD nis punën për listat e deputetëve (udhëzuesi)

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mbledh të enjten kryesinë e Partisë Demokratike për t’i dhënë udhë fillimit të proçesit për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie.

Kryesia do të miratojë udhëzimin me rregullat e përzgjedhjes së emrave dhe gjithçka më pas do të transferohet në bazë.  

Ndryshe nga çdo vit tjetër, procesi në nivel dege për evidentimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave do të bëhet përmes parimit “një anëtar një votë” dhe disa rregullave të caktuara që PD-ja i ka kooptuar qysh para një viti pas një diskutimi me Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe Partinë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë.

Për këtë proces foli edhe Lulzim Basha.

“Nesër (të enjten) kryesia e Partisë Demokratike do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve”, shkruan Basha në Facebook.

Basha ne bashkebisedim me perfaqesues te Insitutit Republikan dhe Partise Konservatore Britanike

“Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference z. David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe z. Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues.

Miqtë tanë ndanë me mua sot besimin se modeli që do të miratojmë nesër në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.

Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete”, nënvizon Basha.

Krahas udhëzimit, kryesia e partisë do të miratojë edhe listën me 12 koordinatorë që do të mbikqyrin punën në terren.

Etapat e procesit

Procesi në nivel dege për evidentimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave do të realizohet  në periudhën 25 qershor – 31 korrik.

Brenda datës 1 gusht pritet të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, ndërsa procesi i seleksionimit të kandidaturave do të realizohet brenda gushtit.

Procesi i konsultimit të kandidatëve do të vijojë më pas në muajin shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë