Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka vënë përballë njëra tjetrës, një deklaratë të kryeministrit Rama në konferencën e fundit për shtyp, sipas të cilit, koalicionet nuk janë hequr e nuk do të hiqen, dhe një dokument zyrtar të firmosur po nga PS-ja, ku heqja e koalicioneve bëhet fakt i kryer, sa kohë që do të aplikohen listat e hapura.
“Sa herë hap gojën, Edi Rama gënjen për qëllimin e vërtetë të ndryshimit me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme të Kushtetutës. Kjo lojë e pistë po i nxjerr në pah tmerrin që ka nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit. Shikojeni vetë me zë dhe me figurë! Shikoni dhe dokumentet zyrtare të Komisionit të Ligjeve, që e faktojnë një kryeministër, i cili gënjen pa u skuqur. Me firmën e Gramoz Ruçit, shkruhet e zeza mbi të bardhë se qëllimi i ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës është heqja e koalicioneve parazgjedhore. Asnjë gënjeshtër e Edi Ramës nuk e mbulon dot këtë të vërtetë!
Edi Rama në një konferencë për shtyp, i pyetur nga gazetarët për tentativën për heqjen e koalicioneve, do të pohonte se: ‘Koalicionet nuk ndalohen, nuk mund të ndalohet dhe nuk do të ndalohen”, shkruan Bardhi.
Më tej, ai shpjegon se, ndryshimi kushtetues i miratuar nga socialistët në Komisionin e Ligjeve, ka riformuluar pikën 1, të nenit 68 të Kushtetutës, duke hequr fjalët “koalicionet zgjedhore të partive politike”.
Pra, neni 68 i Kushtetutës:
– Ishte: Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike.
– Bëhet: Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike.
Sipas Partisë Demokratike, edhe Raporti zyrtar i përbashkët i Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, që është firmosur nga Kryetari i Kuvendit dhe 4 relatorët, konfirmon faktin se Rama ka gënjyer

Pjesë nga raporti i Komisionit të Ligjeve, i firmosur nga deputetët e PS, ku thuhet se nuk lejohen koalicionet.
Në faqen 24 të këtij Raporti, të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit thuhet se: “Heqja nga përmbajtja e pikës së parë të nenit 68 të fjalëve “koalicionet zgjedhore” do të thotë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji koalicionet zgjedhore nuk mund të jenë më subjekte zgjedhore…Nismëtarët kërkojnë përfshirjen në mekanizmin ligjor të listave të hapura dhe ky proces e bën të domosdoshme heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Ky qëllim realizohet plotësisht nga përmbajtja e fjalisë së parë….”.
Bardhi publikoi edhe raportin e plotë zyrtar të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, i firmosur nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Opozita e ka konsideruar këtë ndërhyrje në Kushtetutë si prishje të marrëveshjes së 5 Qershorit. Sepse, sipas Bardhit, është rënë dakord paraprakisht, që partitë politike të krijojnë koalicione parazgjedhore dhe që partitë pjesëtare të një koalicioni të mund të garojnë me lista shumemërore të veçanta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje