Në një orë negociata, dhe 10 minuta firmosje marrëveshje më pas, kryeministri Edi Rama arriti që të marrë votën e dy krerëve të grupeve parlamentare të opozitës së drejtuar nga Edmond Stojku dhe Nimet Musai për marrëveshjen e 5 Qershorit, ndërsa mori firmën në bllok të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese, që konsistojnë në hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Në fund të firmosjes së dokumentit të përbashkët në kryesinë e Kuvendit, Myslim Murrizi (në emër të 28 deputetëve) nuk do të japë votën për marrëveshjen e 5 qershorit, por vetëm për ndryshimet kushtetuese.
Votën kundër e bëri publike edhe Ralf Gjoni.
Nuk garantuan për votën në bllok as krerët dy e grupeve parlamentare, që firmosën pikën e paktit të 5 qershorit, por kryeministri Edi Rama siguroi në fund të takimit se mbështetja për të kaluar marrëveshjen do të jetë e gjerë edhe pse jo në total.
Rama e firmosi datën se kur kalon marrëveshja e 5 qershorit. Ajo do të votohet më 23 korrik, pra këtë të enjte në Kuvend.
Për këtë arsye, ai njoftoi se të mërkurën do të jetë në Këshillin Politik bashkë me Damian Gjiknurin ( në orën 17.00) për të pritur PD dhe LSI, për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese, për të cilën, Rama e dha qëndrimin që sot me firmosjen e draftit bashkë me opozitën parlamentare.
Në një deklarim për mediat, pas takimit, Rama e pranoi ndër radhë se janë hequr koalicionet, porse shtoi se nisma për ndryshimet në Kushtetutë ishte modifikuar rrugës ashtu si pragu elektoral që nuk është përcaktuar edhe pse në fillim të nismës ka qenë 5%.
Rama njoftoi se koalicionet ashtu edhe pragu do të reflektohen si ndryshime në ligjin zgjedhor, por për modalitetet konkrete ai pret opozitën jashtëparlamentare në Këshillin Politik.
Me opozitën brenda saj, gjerat dolën të qarta edhe pse vota e tyre, ashtu si edhe qëndrimet që kanë mbajtur këto kohë, ndryshon nga ora në orë.
Ajo që u arrit sot në kryesinë e Kuvendit është fakti se drafti për ndryshimet në Kod sipas paktit të 5 Qershorit do të kalojë me disa vota të opozitës parlamentare në datë 23 korrik, ndërsa ndryshimet kushtetuese për listat dhe koalicionet do të kalojnë në datën 30 korrik.
Për këtë fazë të dytë do të duhet reflektim i ri. Prandaj dhe loja është e hapur me atë që në fakt është “realiteti politik”, siç citoi edhe vetë Rama, që është PD dhe LSI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje