Futboll

Apolonia vendos “qershinë mbi tortë”, shpallet kampione e Kategorisë së Parë

Apolonia mbyll në mënyrën më të mirë sezonin, duke u shpallur kampione e Kategorisë së Parë. Fierakët, fitues të Grupit B në këtë kategori, kanë mundur 2-1 në finale Kastriotin, fituesin e Grupin A. Ishte një fitore e bukur për Apoloninë, me përmbysje madje. Skuadra e trajnerit Artan Mërgjyshi u gjend në disavantazh, pasi Ajazi shënoi për krutanët, por reagimi i saj ishte i admirueshëm.

Redon Mihana, një nga më të mirët në fushë në këtë ndeshje, barazoi për Apoloninë brenda pjesës së parë. Një autogol i Ajazit në pjesën e dytë vendosi këtë ndeshje, duke i dhënë trofeun e kampionit Apolonisë. Për të dorëzuar trofeun e kampionit të së Parës në “Elbasan Arena” kishte shkuar kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Pak javë më parë Apolonia siguroi ngjitjen në Superiore pas 5 sezonesh në Kategorinë e Parë, ndërsa ky trofe ishte “qershia mbi tortë” për një sezon mjaft të suksesshëm, i bazuar te një skuadër me moshë shumë të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë