Politike

Ndryshimet kushtetuese, çfarë po kërkojnë PS-PD në tryezë

Çështja për të cilën PS-ja ka lënë hapësirë për diskutim me Partinë Demokratike nuk janë më ndryshimet kushtetuese, por pasoja që ajo sjell.

Me firmosjen e dokumentit publikisht dhe të kaluar paralelisht edhe në komisionet parlamentare, PS-ja i ka vënë vulën ndryshimeve kushtetuese përmes miratimit të listave të hapura; 2/3 nga qytetarët dhe 1/3 nga subjektet politike dhe aplikimit më pas të saj me heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Koalicionet parazgjedhore janë hequr si fjalë në ndryshimet kushtetuese. Pra qytetarët nuk mund të votojnë për to, përveçse për subjektet politike.

Tani mbetet vetëm formulimi i saj në ligjin zgjedhor.

Kjo është e vetmja pikë që PS-ja ka lënë hapur për diskutim me PD-në për në Këshillin Politik.

E thënë përmes letërkëmbimeve zyrtare, PS-ja i kërkon PD-së në Këshill Politik që të gjejnë  dakordësi mes palëve sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral, si pasojë e ndryshimeve kushtetuese.

Për këtë arsye, ajo i kërkon PD-së por edhe LSI-së që të sjellin propozimet e tyre në funksion të këtyre ndryshimeve.

Publikisht dhe jo pa qëllim, PS-ja e lidh debatin me listat, por nuk është ky thelbi. Debati janë koalicionet, që ndryshohen si pasojë e hapjes së listave.

Dhe me aq sa tha kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të së enjtes, koalicionet (e hequra në Kushtetutë) mund të shtrohen për diskutim vetëm në gjetjen e një formule të re aplikimi në ligjin zgjedhor.

Për të tjerat (deri tani) nuk ka kthim pas.

“Ju nuk mund ta ndryshoni atë që është shkruar aty.  Ndryshim nuk ka më. Sepse e tillë është procedura. Por ama ka gjëra për të diskutuar. Se kanë hall mos i ndajmë me zor, kanë hallin e koalicioneve.

Formula se si partitë dalin bashkë në zgjedhje do ndryshojë, si do të ndryshojë formula? Nga një formulë që nuk e ka askush do kalojë në formulë që e kanë të gjithë…”, tha Rama në Kuvend. 

Cfarë kërkon opozita? PD e LSI kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të mos konsiderohen fakt i kryer dhe për to duhet të diskutohet fillimisht në mbledhjen e Këshillit Politik pa shkuar tek reflektimi më pas në ligjin zgjedhor.

Rifillimi i diskutimit për këtë çështje, sigurisht që do të tejkalonte 30 korrikun, datë kur është caktuar miratimi i ndryshimeve kushtetuese

Këtë e pranojnë vetë përfaqësuesit e opozitës nëpër shkëmbimet zyrtare me emaile me PS-në.

“Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!!

Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!!

Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur”, është qëndrimi zyrtar i opozitës.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë