“Çfarë Këshilli? Nuk ka Këshill nesër…”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri Edi Rama kur u pyet nga media pas mbledhjes 30 minutash të Këshillit Politik, nëse të enjten do të jetë sërish aty.
Kryeministri Edi Rama e ftoi opozitën që të bëhet pjesë e Këshillit vetëm për ndryshimet kushtetuese, pasi për marrëveshjen e 5 Qershorit, ky Këshill e kishte mbyllur misionin.
Gjithçka lidhet me një qëndrim në mesditë të Partisë Demokratike e cila në një letër e-mail dërguar Damian Gjiknurit nënvizonte se, ishte gati të ulej në tryezën e Këshillit, por jo për ndryshimet kushtetuese.
PD-ja ndryshoi axhendën e diskutimit duke u fokusuar në fakt tek masat shtesë që i bashkëngjiten marrëveshjes së 5 qershorit.
Disa çështje për të cilat Damian Gjiknuri tha mbasdite se, mes palëve ishte rënë dakord paraprakisht.
“Për të gjitha ndryshimet jemi dakordësuar dhe mjafton një konfirmim me e-mail për të vijuar aty ku e kemi lënë. Për këto projektligje (që thotë PD-ja) ne kemi rënë dakord. Dhe do t’i çojmë në Kuvend. Pretendimi për t’u mbledhur për një gjë që kemi rënë dakord më parë nuk qëndron”, tha Gjiknuri.
Partia Demokratike nuk dha asnjë përgjigje nëse për këtë çështje do të ulej për diskutim me PS-në në Këshillin Politik edhe pse Rama e vuri para faktit të kryer duke firmosur për draftin kushtetues me opozitën parlamentare publikisht nga kryesia e Kuvendit.
Tre herë brenda 24 orësh, PD-ja ka dhënë përgjigje shteruese (përmes opozitës së bashkuar) se ky draft kushtetues është një akt i njëanshëm, i marrë në një proces të mbyllur pa marrë parasysh opozitën politike të vendit, mendimin e OSBE apo atë të Komisionit të Venecias, e mbi të gjitha i rrezikshëm për stabilitetin e vendit. I ka thënë të gjitha PD-ja, por nuk ka saktësuar asnjë qëndrim të saj se çfarë do të bëjë me Këshillin Politik, e vetmja artificë që ka mbetur për të ulur partitë politike.
PD-ja pranoi të marrë pjesë në Këshill, por me një axhendë krejt tjetër, për të cilën PS-ja thotë se është rënë dakord paraprakisht.
Atëherë pse PD-ja ndryshoi qëndrim? Për të fituar kohë? Nëse po, ndaj kujt dhe për kë?
Ato që dihen deri më tash janë vetëm lëvizjet publike të politikës shqiptare.
PD ktheu përgjigje për ftesën e PS-së pas një konsulte që Lulzim Basha pati me Petrit Vasilin e më pas Monika Kryemadhin.
Paralelisht me qëndrimin e tyre, në Presidencë kishte mbaruar edhe takimi i Ambasadores amerikane, Yuri Kim, me atë që mund të konsiderohet realiteti i tretë politik, Ilir Meta. As presidenca dhe as ambasada amerikane nuk përcollën njoftim për mediat, por eksperienca e deritashme ka treguar se kur futet në lojë ambasadorja amerikane, gjërat në politikën shqiptare lëvizin dhe se aty ku shkon ambasada aty ka ngecur çështja.
Edi Rama e dha qëndrimin e tij edhe me shkrim në një sallë ku janë firmosur por edhe grisur shumë marrëveshje.
Ai që duhet të japë një qëndrim është Lulzim Basha, i kushtëzuar jo pak nga aleati i tij në politikë, LSI. Kërkesa për mbledhje nesër apo pasnesër për një çështje e dakordësuar më parë, pa dhënë një qëndrim të drejtpërdrejt se a do të ulet apo jo për ndryshimet kushtetuese, veçse merr kohë, dhe asgjë më shumë.
Për një negociatë që ndoshta edhe po luhet në prapaskenë. Por për kë?
Myslim Murrizi e ceku pak në një prononcim për gazetarët, kur tha se jo çdo gjë mes të mëdhenjve duhej marrë seriozisht kur komunikonin publikisht vetëm me email-e…
”Në darkë ata mblidhen sërish bashkë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje