Rend dhe Ligj

Hacker-i i zhvati rreth 90 mijë euro biznesmenit shqiptar teksa bënte blerje online

Policia e Shtetit ka zbardhur një skemë mashtrimi kibernetik, teksa një i huaj i kishte zhvatur një biznesmeni shqiptar rreth 90 mijë euro pasi i kishte marrë të dhënat dhe e-mailin teksa ky i fundit kryente blerje online.

Kallëzimi i biznesmenit shqiptar erdhi një muaj më parë teksa në një muaj hetime Policia së bashku me një bankë të nivelit të dytë arritën të bllokojnë këtë shumë.

Policia ka identifikuar autorin dhe sipas policisë ai është i huaj. Ai hapte llogari në vende të ndryshme të botës duke thithur fonde nëpërmjet këtyre mashtrimeve kibernetike.

Nuk bëhet ende me dije se nga cili shtet është ‘hacker-i’ si dhe në cilat shtete operonte pasi hetimi vijon ende për të gjetur edhe autorë të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm gjatë komunikimeve që kanë në rrjetet sociale, postë elektronike etj, si dhe ndaj çdo veprimtarie online dhe për çdo dyshim që mund të kenë të adresohen pranë Policisë së Shtetit, duke iu garantuar një reagim të shpejtë e profesional në hetimin e këtyre rasteve nga Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë