Politike

Kriza e Kakavijës, PD: Rama e dinte. Gënjeu edhe për radhën në kufirin greko-bullgar

Duke marrë shkas nga letra e publikuar nga Presidenti Ilir Meta, Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama për shpërdorim detyre dhe se mund të kishte parandaluar krizën e krijuar në Kakavijë, pasi është informuar për ndryshimin e regjimit të lëvizjes nga pala greke që më 5 gusht.

“11 ditë më parë Edi Rama e dinte se çfarë do të ndodhte, por vazhdoi pushimet pa e vënë ujin në zjarr për mijëra shqiptarë që e pësuan prej neglizhencës së tij kriminale. Ai nuk bëri asgjë. Shkoi me pushime luksoze dhe i la shqiptarët të dynden në pikën kufitare pa asnjë lajmërim, pa asnjë masë për të parandaluar atë katastrofë humanitare”, deklaroi Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu.

Letra e publikuar nga Presidenti Meta

Jo vetëm kaq. PD thotë se në përpjekje për t’u justifikuar, Kryeministri Edi Rama ka gënjyer qytetarët duke u shitur si aktuale foto të katër viteve më parë në kufirin mes Greqisë dhe Bullgarisë.

“Tradhtia e tij ndaj shqiptarëve vazhdon edhe sot, kur genjen duke i shitur fotot e 4 viteve më parë në kufirin bullgaro-grek si bllokim të kufirit sot, i cili ka zgjatur vetëm për pak orë dhe pa arsye të ngjashme me Shqipërinë. Shkrimi i i gazetës greke Kathimerini që paraqitet në foton e Edi Ramës sot, i përket 21 shkurtit 2016. Megjithatë, asnjë foto nga asnjë kufi tjetër i Europës nuk justifikon dot dështimin e Edi Ramës dhe braktisjen e shqiptarëve”, vijoi Kashahu.

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD i referohej një postimi të mëhershëm të Kryeministrit, ku shfaqej një varg me kamionë me shënimin e Ramës se radhë të gjatë automjetesh ishin krijuar edhe në kufirin mes Bullgarisë dhe Greqisë.

“Sipas gazetës “Ekathimerini” radha e veturave që pritën nga Bullgaria në doganën e Kulatas në Greqi,shkoi 10 km,ndërsa ajo e kamionëve arriti 15 km!Por Presidenti bullgar s’doli të fajësojë qeverinë e as i quajti qytetarët pa atdhe e pa shtet!Mëso Ilir se s’të ka borxh Shqipëria!”, shkruante Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë