Politike

Shqiptarët me Kryeministër 100-ditor në Maqedoni

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti kanë arritur marrëveshjen për të rinovuar koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Sipas kësaj marrëveshje, BDI plotëson pjesërisht kushtin e Kryeministrit shqiptar, pasi LSDM e ka ofruar këtë post për shqiptarët në 100 ditët e fundit të mandatit të Qeverisë, gjithmonë nëse Qeveria e re do të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare.

Arritja e paktit u konfirmua nga të dyja partitë dhe ai është epilogu i bisedimeve disaditore, që Ahmeti dhe Zaev thanë se u shërbyen për të harmonizuar programet zgjedhore dhe krijimin e një programi qeverisës të përbashkët 4-vjeçar.

Të dyja palët thanë se në këto bisedime u tejkaluan pengesat janë zgjidhur thuajse të gjitha çështjet që pengonin marrëveshjen për koalicionin e ri. Mes këtyre pengesave ishte edhe premtimi parazgjedhor i Ali Ahmetit për të pasur një Kryeministër shqiptar pas zgjedhjeve të 15 korrikut. Por, pas daljes së rezultatit, ku mes shqiptarëve BDI u rendit forcë e parë, Ahmeti është tërhequr nga ky qëndrim.

Vetë BDI akuzon dy partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa se kanë dobësuar pozitat e shqiptarëve në bisedimet për Qeverinë e re. Sipas BDI, të dyja këto parti kanë hyrë në bisedime të fshehta me LSDM dhe VMRO duke dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

Aleanca për Shqiptarët reagoi duke i cilësuar akuzat si “alibi të Ali Ahmetit për t’u justifikuar përballë elektoratit të tij pas tërheqjes nga premtimi për Kryeministër shqiptar”.

Ndërkohë, VMRO nuk është përfshirë ende në debatin për formimin e Qeverisë së re, por është përqëndruar në betejën ligjore pas padisë së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkon shfuqizimin e dekretit të Presidentit Pendarovski, me anë të të cilit u mandatua Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së re.

VMRO thotë se mandatimi i Zaev u bë në shkelje të Kushtetutës, pasi ai nuk kishte siguruar më parë përmes një marrëveshjeje politike me partitë e tjera shumicën prej 61 votash në Parlament.

Vetë LSDM-ja, së bashku me 4 deputetët shqiptarë të Lëvizjes Besa ka 46 vende në Parlament dhe me 15 deputetët e BDI-së sigurohet shumica e nevojshme prej 61 votash për ta miratuar kabinetin qeveritar.

Pjesë e Qeverisë së re parashikohet që të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare me një mandat. Megjithatë, në të gjitha skenarët e mundshëm, Qeveria e re në Shkup duket se do të jetë e brishtë me jo më shumë se 62 deputetë që e mbështesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë