Presidenti Ilir Meta ka nisur procesin e këshillimeve me forcat politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të pranverës së vitit të ardhshëm.
Kreu i shtetit i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama, si kryetar i Partisë Socialiste dhe një letër kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Meta fton të dy ata në takim ditën e premte për të diskutuar mbi vendosjen e datës së zgjedhjeve.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur nisjen e procesit të konsultimeve me partitë politike me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë, Presidenti i Republikës fton në takim ditën e premte datë 04.09.2020 ora 11:00 pranë Institucionit të Presidentit të Republikës, Kryetarin e Partisë Socialiste z. Edi Rama dhe/apo persona të tjerë të autorizuar prej tij. Me besim në vlerësimin e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në ftesën që Meta i ka dërguar Ramës.
Letra me të njëjtën përmbajtja i është dorëzuar edhe Lulzim Bashës, takimin me të cilin Presidenti kërkon ta realizojë 60 minuta pas takimit me Ramën.
Sipas ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, Presidenti mund të zgjedhë një datë nga 15 prilli deri më 15 maj për të zhvilluar zgjedhjet e reja, ndërkohë që sfidë për klasën politike do të jetë edhe pasqyrimi në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese që kanë përcaktuar hapjen e listave në jo më pak se dy të tretën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje