Ilir Beqaj i caktuar drejtues politik në Qarkun e Shkodrës në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste e ka nisur detyrën në qytetin verior duke akuzuar paraardhësin e tij dhe ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
Beqaj tha se prej momentin kur Bushati u shkarkua nga detyra e kryediplomatit e ka braktisur detyrën e caktuar në Shkodër si drejtues politik i Qarkut.
“Bushati ka 14 muaj që e ka lënë Partinë Socialistë në Shkodër dhe nuk mund të themi si e la ai Partinë Socialiste këtu”, deklaroi Ilir Beqaj në një takim me strukturat e partisë në qytetin veri-perëndimor.
Kreu i ri politik i socialistëve në këtë qytet nuk e la me kaq. Ai paralajmëroi gjithashtu se emri i Bushatit mund të mos jetë pjesë e kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.
“Zoti Bushati është deputet, por nuk e vendosim ne nëse është apo jo në Shkodër. Aktualisht ai nuk ndodhet as në Tiranë dhe as në Shkodër”, tha Beqaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë foli për sfidat që kanë socialistët përpara për zgjedhjet e 25 prillit, duke filluar që me përzgjedhjen e kandidatëve, listat e hapura, emërimin e shkarkimin e drejtorëve në administratën shtetërore, e deri tek boshllëku i lënë në pushtetin vendor pas zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit të kaluar. Për këtë boshllëk, Beqaj tha se është faji i Presidentit që nuk ka nxjerrë një datë të re zgjedhjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje