Kuvendi miratoi me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.
Votimi është bërë me fletë votimi dhe jo me elektronikë, ndërsa nuk pati diskutim nen për nen gjatë seancës plenare, por vetëm debate kryesisht nga opozita në Kuvend që edhe kësaj here, siç do votim tjetër, tregoi se nuk është solide.
Partisë Socialiste i mjaftonin 84 vota për ta kaluar, por mori kuorumin kushtetues, një tezë që partia në pushtet do ta përdorë jo pak gjatë diskutimeve me ndërkombëtarët.
E paralajmëroi që në fillim te seancës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke e bërë fakt të kryer teksa përshëndeti miratimin e Kodin e ri Zgjedhor. Ai madje tha se ndryshimet në Kod janë në përputhje me rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman
Ligjet dhe vendimet, sipas tij, janë rezultat i një procesi politik e parlamentar.
Ndërkohë gjatë diskutimeve në Kuvend, edhe bashkëkryetari socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha se sot përmbyllet një proces i rëndësishëm që ka të bëjë me Reformën Zgjedhore dhe Kodin zgjedhor. Ndryshe nga sa pretendojnë përfaqësues të opozitës në Kuvend dhe asaj jashtë saj, Gjiknuri tha se listat hapen 100 % dhe se zgjedhësi ka mundësinë të ndryshojë edhe atë liste preferenciale nga partia për të cilën u tha se ishte e mbyllur. Por nuk mendon kështu deputetja Rudina Hajdari.
Asnjëherë më shumë, deputetja Rudina Hajdari nuk kishte ngritur zërin në Kuvend, aty ku paralelisht po votohej për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, e ku ajo është kundër, duke kërkuar hapjen 100% të listave.

Hajdarit i është ndërprerë fjala, (për shkak të mbarimit të kohës) ndërsa vetë ajo nuk pranoi të liroje foltoren, duke kërkuar ndërprerjen e seancës.
“Ju garantoj që këtë muaj shtator nuk kam reshtur duke iu takuar dhe duke marrë mendimet tuaja, dhe unë sot flas për ata shqiptarë që janë treguar shumë më të mençur se ata që kam takuar në këtë sallë. Ata e dinë shumë mirë që në këtë sallë ka vetëm mashtrime, këtu bëhen vetëm pazare, e dinë që kur kjo seancë përfundon, shumica ulen dhe bëjnë pazare dhe e shesin veten si patriot. Ka qenë kjo sallë plenare ku në 1992 i premtuat shqiptarëve që do të dënoni krimet e komunizmit, i mashtruat se nuk i bëtë, po unë jam me ata që janë të zhgënjyer se ju nuk e bëtë këtë, ka qenë kjo sallë ku ju u thatë shqiptarëve futini lekët në firma piramidale dhe e çuat vendit në tmerret më të mëdha që kanë kaluar, jam me ata që janë të zhgënjyer se ju i mashtruat ka qenë kjo sallë në 1998 se do ua kthenit lekët e humbura në firmat piramidale. Ka qenë kjo sallë prej 30 vitesh që u ka thënë shqiptarëve që në 2001 se do futeni në BE. Sot është 2020 dhe ja ku jemi sot. Sot shqiptarët po ikin me kamion në Angli dhe Holandë”, tha Hajdari.
Ajo kërkoi që të ndalet seanca, sipas saj, e turpshme.
“Mos u hiqni si patriot sikur e doni këtë vend, ju bëj thirrje reflektoni, ndaleni këtë seancë të turpshme që iu bëni qytetarëve, se jemi këtu për ata dhe jo për një grup njerëzish. Hapni listat se Kodi Zgjedhor ndryshohet një herë jo sa herë keni qejf ju, jepini mundësinë shqiptarëve të votojnë atë që duan… Reflektoni deputetë, ndaloni këtë seancë dhe mos u bëni pjesë e këtij aktrimi të shëmtuar…”, tha Hajdari e cila është replikuar për disa minuta nga ministrja Elisa Spiropali

Rama: Meta po shantazhon më keq se Berisha
Kuvendi ndërpreu seancën, por punimet rifilluan sërish me Rudina Hajdarin që nuk lëshoi foltoren. Kjo ka bërë që kryeministri Edi Rama të flasë nga vendi.
Rama tha se, ajo (Hajdari) nuk ka faj kur vetë Presidenti Meta përdor një gjuhë shantazhuese edhe në takime me homologë ndërkombëtar. Sipas Ramës, as Sali Berisha nuk e ka bërë këtë gjë.
“Kompromiset e mira janë ato që të gjitha palët kanë një arsye për tu mërzitur. Dhe ne kemi arsye për tu mërzitur, më shumë se sa palët që janë në këtë proces brenda apo jashtë parlamentit. Jemi të vetëdijshëm që detyrimi për të bërë kompromisin për një proces të zgjedhjeve është që të heqim dorë nga dëshirat tona. Unë nuk kam asnjë dyshim që nëse ne do kishim kërkuar një kompromis nga ju për të vendosur bonusin për partinë e parë por patjetër që kjo do të ishte e tepërt me palën që nuk është këtu. Nga ana tjetër për ata që nuk janë këtu, ky parlament po bën më shumë se sa asnjëherë më parë për ndonjë palë që ka qenë këtu brenda duke marrë në konsideratë kërkesat e tyre edhe pse janë larguar. Nuk ka asnjë problem që të më sulmoni mua, jam mësuar. Jam mësuar me origjinalin e jo më me kopjet. Dëgjova një zonjë që foli me një gjuhë që një grua apo nënë nuk mund ta ketë. Çfarë faji ti vë zonjës (Hajdarit) ku shembullin më skandaloz e jep Presidenti i Shqipërisë i cili nuk ka kapacitetin mendor dhe moral ku ka një homolog në krah. Nuk më kujtohet ta ketë bërë as vetë Saliu që në krah të një të huaji të ketë përdorur një fjalor shantazhues për kundërshtarët këtu. Nuk i vendos faj zonjës,” – tha Rama.
Rama hodhi gjithashtu akuza në drejtim të kreut të shtetit sipas së cilit ai po kontakton me trafikantët që i prek OFL-ja.
Valteri debat me Gjiknurin jashtë Kuvendit: Po blen vota
Ndërkohë, jashtë dyerve të Kuvendit, madje jashtë rrethinave të oborrit të Kuvendit, deputeti Damian Gjiknuri dhe ai i opozitës, Halit Valteri kanë replikuar për disa sekonda me njëri tjetrin.
Valteri është larguar për tu kthyer sërish më pas tek ai ku debati me Gjiknurin dukej më i ashpër, aq sa në ato momente ndërhynë edhe rojet e Gardës së Republikës që ishin as një metër larg.
“Rama ta tërheqë këtë qen bir qeni, ka blerë deputetë sot për të kaluar Kodin Zgjedhor”, tha Valteri i revoltuar me mediat.
“…Me paratë e Gjiknurit po blihen votat… Vota jonë është kundër dhe e grupit demokrat”, tha Valteri. Arsyeja e debatit, sipas tij, lidhej me një telefonatë “kërcënuese nga Gjiknuri”. Për debatin, reagoi për mediat edhe vetë Gjiknuri.
“Është fatkeqësi që të bëjmë histori gjëra që janë krejt ordinere. Çdo gjë tjetër është insinuata e njerëzve që janë aksidente historike thjesht për t’i dhënë rëndësi vetes. Pse duhet ta kërcënoj?! Deputetët edhe komunikojnë. Valteri ta gjejë veten. Nuk jam këtu të merrem me Valterin. Unë nuk e di çfarë qëndrimesh ka ai. Më vjen keq që debati për ligjin, të kalojë në çështje personale… Nuk merrem unë çfarë i thashë dhe çfarë më tha. Disa njerëz janë mërzitur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor,”- tha ai.
I pyetur për denoncimin e Valterit sipas të cilit disa deputetë janë blerë, Gjiknuri u përgjigj: “T’i denoncojë po i ka”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje