Futboll

Bojkoti i kampionatit, Prodani: FSHF e detyruar me ligj të nisë kampionatin

Edhe pse në radhë për t’u luajtur janë ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, në plan të parë mbetet paralizimi i futbollit kombëtar. Superiorja, që të dielën duhej të luante javën e 5-të sipas kalendarit, nuk ka nisur për shkak të bojkotit të shpallur nga Liga Profesioniste dhe të mbështetur nga FSHF-ja deri në plotësimin e katër kërkesave nga qeveria.

Kërkesa që mund të jenë të drejta për përmirësimin e sportit në vend, por për to mund të dialogohet dhe të gjendet një zgjidhje, ndërkohë që gara vazhdon. Shqiptarëve nuk ua mohon askush të drejtën për të parë futboll. Federatën Shqiptare të Futbollit e detyron Ligji për Sportin të organizojë garën, pra kampionatin kombëtar të futbollit. Deri tani jo vetëm nuk e ka bërë, por as nuk ka shpallur një datë zyrtare. Çfarë ndodh në këtë situatë?

Eduard Prodani, ish-sekretar i FSHF-së. Gazeta Si, 5 tetor 2020

Kampionati do të zhvillohet, patjetër. Eduard Prodani, ish-sekretar i Federatës Shqiptare të Futbollit, thotë për Gazeta Si se është një situatë absurde, e paprecedentë. Ai është bindur se futboll do të ketë dhe se është vetëm çështje presioni. Prodani jep edhe disa detaje se çfarë ndodh ligjërisht në një situatë të tillë.

Zoti Prodani, çfarë ndodh me Federatën Shqiptare të futbollit, kur ajo nuk po përmbush detyrimin ligjor të organizimit të garës, të kampionatit?
Me gjithë mangësitë që ka, ligji për sportin e përcakton qartë qe ne rastin kur një federate nuk realizon organizimin e kampionatit kombëtar, për të mund të kërkohet revokimi i titullit “federatë shqiptare”. Duket qartë që në frymën e ligjit organizmi i kampionatit kombëtar është një ndër kushtet themelore që i vihen një organizate sportive, e cila rivendikon ekskluzivitetin e atij lloj sporti në vend. Në rastin konkret, pavarësisht se është e qartë për të gjithë që Liga Profesioniste po përdoret si “maskë”, edhe po të pranojmë se bojkoti është ndërmarrë nga ana e klubeve, FSHF është e detyruar të marrë masa për të organizuar një garë kombëtare. Nëse situata mbetet e tillë deri në fund të sezonit, atëherë formalisht jemi në kushtet kur FSHF ka dështuar në përmbushjen e këtij kushti. I takon qeverisë të vendosë ç’duhet të bëjë.
Si mund të kalohet ky ngërç?
“Ajo që shikoj është një përpjekje për të instrumentalizuar futbollin për arsye që s’kanë të bëjnë me të. Mendoj se pas bojkotit qëndrojnë interesa politiko-elektorale të ndonjë grupi të vogël në FSHF dhe në “ligë”. Natyrisht që një situatë e tille e bën refraktare qeverinë dhe e fut në ngërç zgjidhjen. Kjo është arsyeja pse qeveria në disa nivele ka bërë të ditur se është gati të ulet të bisedojë me kusht që të ndërpritet bojkoti. Dhe po këtu e shoh edhe arsyen se ky premtim i qeverisë nuk pranohet nga bojkotistët.

Po të ulen dhe të gjendet kompromisi për futbollin, zhduken rrethanat për shantazh për ato ç’ka kërkohen poshtë tavolinës ose edhe në publik në mënyrë të koduar. Mendoj se mënyra më e mirë për të kaluar ngërçin është me aksion energjik nga ana qeverisë. Kjo nënkupton në radhë të parë që qeveria të heqë dorë nga pasiviteti kundrejt sportit dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e saj për këtë sektor të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të saj dhe mbarëvajtjen sociale në vend.

Një sqarim për atë pjesë të opinionit publik që mendon se nu do të ketë futboll?
Mendoj se këtë sqarim duhet ta japë qeveria. Vërtet organizimet sportive ju delegohen federatave përkatëse, por kur këto dështojnë ta realizojnë këtë, deleguesi duhet të marrë masa për të rivendosur gjendjen normale. Nuk janë të pakta rastet, kur federatat e futbollit i janë nënshtruar “operacioneve” të ndërmarra nga qeveritë kur ato kanë dështuar të funksionojnë si të tilla. Natyrisht, kjo është bërë në çdo rast në respekt të ligjit, frymës së pavarësisë së sportit nga politika, autonomisë se institucioneve sportive, parimeve të organizmave ndërkombëtare të sportit etj.

Në gjykimin tuaj, a janë të realizueshme 4 kërkesat e Ligës?
Natyrisht që janë të realizueshme, por kjo nuk do të thotë që ato duhet të pranohen automatikisht. Mendoj se përmirësimi i kushteve të sponsorizimit mund dhe duhet të pranohet në parim nga qeveria qoftë edhe me imponimin e masave dhe kushteve për garantimin e integritetit të garës, që lë për të dëshiruar. Ndërkohë, heqja e taksimit për pagat është kërkesë e gabuar. Ajo do të jepte efekte të padëshiruara për sportin shqiptar dhe veçanërisht për futbollin. Për dy kërkesat e tjera çështja bëhet shumë teknike dhe duhet të flasin ekspertët fiskalë. Vetëm se në çdo rast nuk duhet të cënohet parimi i trajtimit të barabartë të pjesëmarrësve në garë që shpesh tingëllon si shprehje “aliene” në futbollin tonë.

Çfarë thotë Ligji për Sportin
Neni 18
Detyrat e federatave

Federata shqiptare e një sporti të caktuar, krahas detyrave statutore, ka edhe këto detyra:
a) të organizojë, të drejtojë, të kontrollojë dhe të vëzhgojë aktivitetet sportive zyrtare në nivel kombëtar, në bazë të rregulloreve të miratuara;
b) të organizojë kampionatin kombëtar dhe të shpallë “Kampionin kombëtar” dhe “Ekipin kampion kombëtar” në sportin përkatës;
c) të organizojë Kupën e Shqipërisë dhe të shpallë “fituesin e Kupës së Shqipërisë” në sportin përkatës;
ç) të marrë masa për parandalimin dhe të luftojë dhunën, si dhe të promovojë sportin e pastër dhe tolerancën;
d) të përdorë simbolet e federatës ose të autorizojë përdorimin e tyre nga anëtarë të tjerë, për çdo qëllim;
dh) të organizojë ekipin kombëtar dhe të marrë pjesë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare ose të autorizojë pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në këto veprimtari;
e) të organizojë veprimtari zyrtare me karakter ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë me miratimin e ministrisë përgjegjëse për sportin.
ë) të licencojë trajner për sportin përkatës;
f) të japë pëlqimin për kryerjen e veprimtarive sportive, për anëtarët e saj.
2.Asnjë person juridik, privat ose publik, nuk mund të ushtrojë asnjë nga kompetencat ekskluzive të federatës, vetëm nëse ato i janë dhënë zyrtarisht prej saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë