Futboll

Përplasje e fortë Gjici-Kokëdhima për bojkotin e kampionatit

Përçarja mes presidentëve të klubeve të Superiores sa i takon çështjes së shumëpërfolur të bojkotit të kampionatit ka nisur ditë më parë, por tashmë është thelluar. Përplasja më e fortë është ajo mes presidentit të Kukësit, Safet Gjicit, dhe atij të Apolonisë, Koço Kokëdhima.

Gjici e akuzon Kokëdhimën se po e përdor Ligën për përfitime dhe interesa personale. Kreu i klubit verior këmbëngul se kampionati duhet të nisë, pasi edhe shumë klube të tjera duan këtë gjë, ndërsa Kokëdhima e ka sulmuar Gjicin si një njeri me dy personalitete, që mban krahun e qeverisë, me të cilën ka lidhje të ngushta.

Gjici dhe Duka. Gazeta Si, 5 tetor 2020

“Me zhantazh nuk zgjidhet gjë. Klubet e futbollit duhet të formalizohen, siç e ka pranuar edhe vetë kryeministri Edi Rama. Nuk ka arsye që të rrinë skuadrat pa luajtur dhe nuk zgjidhet asgjë pa u ulur në tavolinë. Bojkoti nuk është zgjidhje, është dëmtim i madh për klubet. Para se të futesha në politikë, isha në futboll, kisha 10 vite në krye të një ekipi, në politikë kam hyrë para pak vitesh. Nuk e kam përdorur futbollin për politikë. Duka ka thënë se është kundër bojkotit, ndaj hajde ta zgjidhim.

Disa të tjerë duan të zgjidhin problemet e tyre nëpërmjet Ligës Profesioniste. Nuk mund ta lejoj që ta përdorë një person që do të zgjidhë problemet e veta, të gjitha klubet kanë të drejtë me kërkesat, të gjithë janë dakord për to. Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, është shprehur që futbolli duhet të fillojë, ai i Shkodrës e kam dëgjuar të thotë që të fillojë dhe paralelisht të gjejmë zgjidhjen, edhe ai i Durrësit e Tiranës. Janë klube që kërkojnë të fillojë kampionati, janë disa klube të tjerë që nuk duan të fillojë pa u zgjidhur këto kërkesa”, – u shpreh Safet Gjici duke iu drejtur Koço Kokëdhimës, i cili e ka kundërshtuar menjëherë, duke kaluar në akuza të forta.

Koço Kokëdhima, president i Apolonisë. Gazeta Si, 5 tetor 2020

Presidenti i Apolonisë ka pohuar se Gjici ka falsifikuar rrogat e lojtarëve, duke derdhur sigurime më pak se skuadra fierake që merrte pjesë në Kategorinë e Parë sezonin e fundit. “Gjici ka manifestuar një nivel shumë të ulët kulturor, ndryshe thotë në tryezën e Ligës dhe ndryshe jashtë saj. Padyshim, e bën për arsye politike, sepse është një person në lidhje të ngushta me qeverinë, përpiqet të manipulojë opinionin publik.

Në vitin 2019, klubi i Kukësit ka paguar 211 milionë lekë të vjetra rroga dhe sigurime shoqërore, kurse Apolonia 270 milionë. Apolonia në 2019-ën ka qenë në mes të tabelës në Kategorinë e Parë, Kukësi ka qenë nënkampion i Kategorisë Superiore. Kukësi ka paguar 25% më pak paga dhe sigurime shoqërore se Apolonia, mendoni vërtet se ka paguar më pak? Jo, ka gënjyer dhe gënjen. Ky është shembulli i klubeve që falsifikojnë rrogat e lojtarëve”, u kundërpërgjigj Kokëdhima.

Kreu i Apolonisë nuk kurseu në kritika edhe deputetin Fidel Ylli, i ngarkuar nga kryeministri për të negociuar me Ligën: “Është një çështje madhore, nuk është çështje për presidentët e klubeve të futbollit. Është çështje themelore për Shqipërinë. Kam pritur shumë prej tyre, zoti Fidel nuk është përfaqësuesi jonë, por i qeverisë, fuqia e plotë e të cilit deri tani nuk na ka ofruar asnjë zgjidhje për këto çështje që diskutuam bashkë”, – u shpreh Kokëdhima.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë