Politike

Sinjali i parë zyrtar i PD për 25 Prillin, Basha: Rama cenoi rëndë standardin e zgjedhjeve

Komisioneri Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi mori dy mesazhe direkte gjatë vizitës së tij në Tiranë nga pala e pakënaqur për Kodin e ri Zgjedhor.

Fillimisht nga Presidenti Ilir Meta i cili e informoi se do ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Mesazhi i dytë dhe më i rëndësishëm erdhi nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili, për herë të parë në një takim të nivelit të lartë, shprehet se ndryshimet e reja në Kod kanë cenuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar shumëçka mbi rrjedhën që do të marrë procesi zgjedhor i 25 Prillit.

Pas pasqyrimit të një tjetër situate në vend (ndryshe nga progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë), Basha është fokusuar tek ajo për të cilën edhe vetë Varhelyi mëshoi disa herë në mesazhet e tij, reforma zgjedhore.  

“Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit.

Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës.

 PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve  refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR.

Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot.

Ky akt cenon rëndë standardin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit”, tha Basha pas takimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë