Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë për Kodin e ri Zgjedhor, votuar në seancën parlamentare të së hënës.
Patozi njofton përmes një postimi në Facebook se ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor janë kundër interesit publik, dhe në ndeshje të qartë me Kushtetutën.
“Sipas nesh, ato janë në shkelje flagrante të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, ndryshe nga sa pretendojnë të tjerë, sipas të cilëve përmes tyre është cenuar marrëveshja e 5 qershorit. Ky qëndrim rrjedh, jo thjesht se kemi qenë gjithmonë kundër kësaj të fundit, por sepse kushtetuta vjen në të gjitha rastet përpara çdo ligji apo marrëveshjeje politike, kushdo qofshin nënshkruesit apo dorëzënësit e tyre.
Ne e konsiderojmë Kodin Zgjedhor, të miratuar në mënyrë të njëanshme, si tradhti të aspiratës së mbi 80 përqind të shqiptarëve, të shprehur qartë pro listave të hapura, më shumë se sa pabesi ndaj disa forcave të caktuara politike, ku, po të doni, mund të fusni edhe Bindjen Demokratike. Me anë të dredhisë së herësit në llogaritjen e mandateve brenda subjekteve zgjedhore, Partia Socialiste ka shkelur qartë konceptin kushtetues të barazisë së votës dhe të preferencës së zgjedhësit, të sanksionuara qartë në ndryshimet e 30 korrikut”, shkruan Patozi.
Por pavarësisht se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë fakt, Patozi ka vendosur të mos e shohë si çështje të mbyllur.
“Ne do t’i drejtohemi menjëherë Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, sapo ndryshimet e miratuara të hënën të hyjnë në fuqi. Për ne nuk ka shumë rëndësi fakti që aktualisht shqyrtimi i saj është i pamundur, pasi jemi të bindur se, kurdo që ajo të nisë funksionimin, nuk ka vendim tjetër për të marrë, përveç se ta rrëzojë Kodin e Edi Ramës.
Për këtë kemi shfrytëzuar mundësinë që na jep kushtetuta, me atributin e një partie politike për një çështje që na intereson drejtpërdrejt, sepse ka të bëjë me zgjedhjet. Ne mendojmë se të gjitha subjektet, që kanë mundësi ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për këtë rast, përveç kryeministrit, do të ishin plotësisht të legjitimuara të bënin të njëjtën gjë, aq e rëndë dhe flagrante është shkelja”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje