Amerikanët kanë nisur të votojnë në shtetet lindore, ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgatiten për një proces të gjatë numërimi. Kandidati demokrat Joe Biden dhe presidenti Donald Trump duket se janë për momentin në pozicione të barabarta duke fituar secili “nga një qytezë”.
Joe Biden duket se tejkaloi Donald Trump duke marrë pesë votat e hedhura në Dixville Notch, një lagje e vogël e New Hampshire përgjatë kufirit SHBA-Kanada që është ndër vendet e para që votoi në Shtetet e Bashkuara. Banorët votuan minutat e para pas mesnatës, duke u bërë kështu votat e para të numëruara në ditën e zgjedhjeve.
Millsfield gjithashtu hapi gjithashtu qendrat e votimit në mesnatë, ku Trump fitoi 16 me 5 ndaj Biden.
Sipas traditës, të gjithë votuesit me të drejtë vote mblidhen në “Dhomën e Votave” për të hedhur votat e tyre sekrete sapo të hapen votimet në mesnatë. Sapo të hidhet çdo votim, votat grumbullohen dhe rezultatet njoftohen, duke e bërë qytezën e Dixville Notch të preferuarën e reporterëve.
Pavarësisht vëmendjes, qyteza pranë New Hampshire nuk është gjithmonë parashikuese e fituesit të zgjedhjeve presidenciale.
Në vitin 2016, Dixville Notch zgjodhi kandidaten e atëhershme demokrate Hillary Clinton, edhe pse i nominuari i atëhershëm i republikan Donald Trump vazhdoi të fitonte Kolegjin Zgjedhor.
Trump planifikon të shpallë fitore në mbrëmje nëse ka epërsi votash
Ndërkohë që amerikanët votojnë, një sërë mediash amerikane raportonin sot se presidenti Trump planifikon të shpallë fitore që mbrëmjen e 3 nëntorit, nëse ka përparësi në vota, pa përfunduar numërimin e votave.
Duke iu përgjigjur këtyre raporteve ai, tha të martën se ai do të deklarojë fitoren “vetëm kur të ketë fitore.”
“Nuk ka asnjë arsye për të luajtur lojëra. Unë mendoj se kam një shans shumë, shumë të fortë për të fituar”, tha Trump në “Fox & Friends” gjatë një interviste telefonike në mëngjes.
Me zërin qe dukej i ngjirur pas një tubimi natën vonë në Michigan, Trump tha se planifikoi të bëntë thirrje telefonike sot më vonë për njerëz “shumë besnikë” si dhe një vizitë në selinë e fushatës së tij.
“Ka qenë një garë e shkëlqyer, tre javë të pabesueshme”, tha Trump.
Një ditë më parë, presidenti kishte kërkuar që rezultati i zgjedhjeve të dalë që natën e të mërkurës. “Është e tmerrshme, nëse nuk do jemi në gjendje të kemi rezultatin e zgjedhjeve mbrëmjen në ditën e votimit”, tha Trump. Ka kohë që ai shpreh mosbesim në procesin e zgjedhjeve dhe sipas mendimit të kritikëve është duke përgatitur terrenin, që në rast humbjeje të verë në dyshim rezultatin.
Për shkak të pandemisë pritet që numri i votave dërguar me postë të jetë i lartë. Sipas sondazheve, shumica e mbështetësve të Bidenit, janë duke e dhënë votën me letër. Në shtetet federale ku zhvillohet luftë e ashpër për marrjen e votave, si për shembull Pensilvania, votat e dhëna me letër mund të numërohen ditë të tëra pas ditës së votimit. Kjo mund të bëjë që nëse Trump ka përparësi natën e së mërkurës, fitorja e tij të kthehet në humbje ditët e mëpasshme, kur të numërohen të gjitha votat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje