Diplomatët e Bashkimi Europian mësohet se kanë paralajmëruar Bullgarinë të mërkurën se po rrezikon sigurinë në Ballkan dhe në Europë nëse vazhdon të bllokojë bisedimet e anëtarësimit Maqedoninë e Veriut dhe për pasojë edhe Shqipërinë.
Udhëheqësit e BE i dhanë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile në mars për të filluar negociatat e pranimit por nuk u caktua data për mbajtjen e konferencës së parë ndër qeveritare. Tani Bullgaria po këmbëngul se Maqedonia e Veriut duhet të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë Bullgare.
Në fund të nëntorit, rreth 2,000 protestues zhvilluan një tubim në Maqedoninë e Veriut për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, duke akuzuar qeverinë e tij se është gjunjëzuar përballë Bullgarisë fqinje. Të mërkurën mbrëma në Shqipëri shpërtheu një protestë e dhunshme pas vrasjes së një 25 vjeçari nga policia pasi theu orën policore.
Ministri gjerman i Çështjeve Evropiane Michael Roth, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, tha se vendi i tij po bën gjithçka mundet për t’i dhënë fund bllokimit, por diplomatët e BE janë të dyshimtë se do të ketë përparime për nisjen e procesit të anëtarësimit së shpejti.
“Çdo gjë tjetër do të ishte një gabim shumë i rëndë politik në kurriz të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin perëndimor dhe që në fund të fundit do të rrezikonte masivisht sigurinë e Europës si një e tërë dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë,” u tha Roth gazetarëve.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kishin duhet të fillonin bisedimet e anëtarësimit vitin e kaluar, por në atë kohë bisedimet i bllokoi Franca, duke thënë se procesi i integrimit duhet të reformohet.
Mundësia e anëtarësimit në BE është parë prej kohësh si një nxitje që nxit reformat demokratike, politike dhe ekonomike në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit.
Maqedonia e Veriut ka qenë një kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005, por një mosmarrëveshje e gjatë me Greqinë mbi emrin e vendit ishte pengesa më e madhe për negociatat e pranimit. Shqipëria nga ana tjetër po kritikohet nga vendet anëtare si Holanda dhe Franca për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Por Shqipëria duket se ka humbur edhe një tjetër vit në procesin e integrimit në Bashkimit Europian, pasi sic njoftoi kancelarja gjermane Angela Merkel një javë më parë, konferenca e parë ndërqeveritare me vendin tonë nuk do të mbahej para 2021-it, pasi Shqipëria nuk ka plotësuar ende të gjitha kushtet e vendosura nga Bundestangu.
Për të hapur 35 kapitujt e anëtarësimit në BE, të cilat përfshijnë politikën financiare, bujqësore, transportin, energjinë, shoqërinë dhe drejtësinë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet që fillimisht të mbajnë konferencën e parë ndër qeveritare dhe të miratohet kuadri negociues. Por asnjë nga këto dy hapa nuk ka nisur të zbatohet duke e shtyrë integrimin sërish për vitin e ardhshëm.
Burimet: “AP”, Toronto Star”, Eu Observer”/ Përgatiti: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje