Politike

KE nuk përmend shit-blerjen e votave në Shqipëri, të djathtët i kërkojnë llogari

Draft-raporti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë për vitin 2020 u paraqit këtë të enjte në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian nga raportuesja, Isabel Santos. Deri në miratimin e tij, që pritet të ndodhë nga pranvera, drafti do të amendohet sipas çështjeve që do të shtojnë gjatë rrugës eurodeputetët e grupeve të ndryshme parlamentare në PE.

Këtë e paralajmëroi vetë eurodeputetja Isabel Santos, kur tha se ky është një raport paraprak që do të pasurohet në vazhdim me amendimet e eurodeputetëve. Një prej amendimeve mund të jetë edhe problematika e shit-blerjes së votës.

Në draftin paraprak, Santos nuk e ka përfshirë këtë çështje, por ajo është ngritur si shqetësim nga 3 eurodeputetë të Partive Popullore Europiane, përmes një letre që ata i kanë drejtuar Komisionit. Gazeta “Si” ka siguruar këtë letër.

“Jemi thellësisht të zhgënjyer nga Komisioni, që në raportin për Shqipërinë për 2020 nuk përmend në asnjë rresht blerjen e votave. A mendon Komisioni që Shqipëria e ka zgjidhur me sukses këtë problem? Nëse po, a mund të na përshkruajë me detaje progresin e Shqipërisë në këtë drejtim? Nëse jo, a mund të na shpjegojë se përse nuk është përmendur në raportin e progresit për 2020?”, thuhet në kërkesën drejtuar Komisionit nga eurodeputetët e djathtë.

Letra është firmosur nga eurodeputetët David Lega, Michael Gahler dhe Lukas Mandl. Tre eurodeputetët thonë se në këtë kërkesë kanë marrë shkas nga raportimet e vazhdueshme të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare mbi fenomenin e shit-blerjes së votës në Shqipëri.

Ata përmendin dosjet 339 dhe 184, që sipas tyre, morën përmasa mediatike ndërkombëtare për shkak të përfshirjes së ministrave, kryebashkiakëve dhe deputetëve në dyshime për blerjen dhe mashtrimin elektoral.

“Fatkeqësisht këto krime kaluan pa u ndëshkuar, madje edhe me promovime të disa zyrtarëve të përfshirë në to. Deri në këtë moment, çështja nuk ka mbërritur në gjykatë, asnjë arrestim nuk është kryer dhe ne jemi të shqetësuar se në Shqipëri po shkelen zotimet për zbatimin e shtetit ligjor”, thuhet në letrën e tre eurodeputetëve.

Eurodeputetët e PPE kujtojnë se hetimi dhe vendosja para përgjegjësisë ligjore e personave të përfshirë në blerjen e votave në të dyja dosjet është një prej kushteve të vendosura nga Këshilli Europian kur hapi negociatat e anëtarësimit në muajin mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë