Futboll

Levandovski shpallet lojtari i vitit nga FIFA, Klop trajneri më i mirë

Në Zyrih, në mbrëmjen gala të “The Best Fifa Awards”, futbollisti më i mirë i vitit 2020 është shpallur Robert Levandovski. Polaku i Bajernit ka mundur Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, dy finalistët e tjerë. Futbollistja më e mirë është shpallur Lusi Bronz, portieri më i mirë Manuel Nojer dhe trajneri më i mirë Jurgen Klop.

“Diego Armando Maradona dhe Paolo Rosi janë dy legjenda të futbolit. Ata kanë bërë që shumë njerëz të dashurohen me futbollin. Një përqafim të ngrohtë për familjet e tyre”. Janë fjalët e Xhani Infantinos, presidentit të FIFA-s, i cili ka dashur që gjatë ceremonisë të kujtojë dy ish-futbollistët e mëdhenj të ndarë nga jeta. “2020-a ishte një vit shumë i vështirë, shpresoj që 2021-shi të jetë më i mirë. Shëndeti është para së gjithash, edhe para futbollit. Futbolli rinisi dhe riktheu buzëqeshjen te miliona njerëz”, – shtoi Infantino.

Jurgen Klop, trajneri më i mirë i 2020-ës. Gazeta Si, 17 dhjetor 2020

Trajneri më i mirë për 2020-ën është Jurgen Klop dhe ky është suksesi i dytë radhazi për gjermanin. Ai mundi patriotin e tij Hans-Dieter Flik të Bajernit argjentinasin Marselo Bielsa të Lidsit. Edhe portieri më i mirë i vitit është gjerman, Manuel Nojer i Bajernit, fitues i Ligës së Kampionëve, Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Superkupës së Gjermanisë. Ai la pas Alison Beker të Liverpulit dhe Jan Oblak të Atletiko Madridit.

Goli më i bukur i 2020-ës, i shënuar nga Son i Totenhemit. Gazeta Si, 17 dhjetor 2020

“Çmimin Puskas” për golin më të bukur e ka marrë koreanojugori Son i Totenhemit. Goli i tij në Totenhem-Bërnli u shpall më i bukuri. Në fund, formacioni më i mirë i vitit 2020 u shpall ky: Alison; Aleksndër-Arnold, van Dijk, Serxho Ramos, Davis; Kimmish, De Brujne, Tiago Alkantara; Mesi, Levandovski, Ronaldo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë