Futboll

Video/ Thyhen Vllaznia dhe Kukësi kryesues, Tirana ndalet në Korçë

Ashtu siç ishte parashikuar, transfertat e kësaj jave kanë rezultuar mjaft të vështira për skuadrat kryesuese në Superiore. Vllaznia është mundur 1-0 në Laç, Kukësi ka humbur me të njëjtin rezultat ndaj Kastriotit dhe Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi në Korçë.

Goli i Xhixhës ndaj Vllaznisë. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Një gol i shënuar nga Redon Xhixha një minutë para fundit të ndeshjes ka bërë që Vllaznia të dalë e mundur nga fusha e Laçit. Një humbje që gjithsesi e mban në vend të parë skuadrën shkodrane, sepse edhe Kukësi i vendit të dytë është mundur sot. Serinë e fitoreve të skuadrës së Gegës e ka prishur Kastrioti, që me një gol të Bardhit në pjesën e parë ka kthyer me “këmbë në tokë” verilindorët.

Goli i Skënderbeut ndaj Tiranës. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Në Korçë, Skënderbeu dhe Tirana kanë barazuar 1-1. Korçarët ndëshkuan kampionët në fuqi me anë të një kundërsulmi të shpejtë, të finalizuar nga Mara. Në pjesën e dytë, Tirana kishte kontrollin e lojës, ndërkohë që mbeti me 10 vetë, pasi Ismajgeci u ndëshkua me karton të kuq për një goditje pa top të kundërshtarit. Megjithatë, Batha goditi shtyllën dhe pastaj barazoi shifrat dhe kryeqytetasit krijuan edhe disa mundësi të tjera shënimi, ashtu si dhe Skënderbeu, por rezultati nuk ndryshoi edhe pas 5 minutash shtesë.

Goli i Bathës ndaj Skënderbeut. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Ka fituar sot edhe Teuta. Durrsakët triumfuan në Fier ndaj Apolonisë vendëse, falë një goli të Lorenco Vilës që në pjesën e parë. Teuta i jep fund kështu serisë së gjatë të barazimeve, ndërsa Apolonia mbetet në vend të fundit.

Superiore, java e 9-të
Apolonia-Teuta 0-1
Kastrioti-Kukësi 1-0
Laçi-Vllaznia 1-0
Skënderbeu-Tirana 1-1
Ora 16:45
Partizani-Bylis


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë