Politike

LSI sulmon ambasadorët për SPAK: Po na shesin kallpin për flori

Për rezultatet e hetimit të dosjes 184 që lidhet me zgjedhjet e kaluara në Dibër ka reaguar edhe LSI-së përmes nënkryetarit, Petrit Vasili. Dhe jo vetëm. LSI, duke lëshuar kritika të forta ndaj SPAK, shigjeton edhe ambasadorët që kanë mbrojtur punën e kësaj Prokurorie.   

“Katër vjet e më shumë pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja është zhgënjim i thellë që e ashtuquajtura Drejtësi e Re është akoma kaq larg edhe Drejtësisë së Vjetër.

SPAK-u është sot kaq mbrapa dhe zhgënjyes dhe s’ka asnjë krahasim me Prokurorinë e dikurshme të Krimeve të Rënda.

Prokuroria e Re është shndërruar në një mbyllëse e palodhur çështjesh dhe justifikuese e qeverisëse më e zellshme se qeveria vetë.

Prokuroria e re është mjaft larg edhe Prokurorisë së dikurshme”, shkruan Vasili.

Më tej ai, nënvizon: “Dosja 184 si dhe 339 u bënë shkak, që në kushtet për hapjen e negociatave u shtua hetimi dhe dënimi i dosjeve të krimit elektoral.

Ky shqetësim madhor mbarëpopullor dhe ndërkombëtar nuk u dëgjua vetëm nga veshët e Prokurorisë dhe SPAK-ut.

Cdo duartrokitje në shqip dhe anglisht për këtë drejtësi të re është akt armiqësor dhe kundërvënie ndaj të gjithë popullit shqiptar.

Zhgënjimin ndaj Drejtësisë së Re nuk e mbulon dot asnjë deklaratë propagandistike Ambasadorësh, të cilët për të justifikuar miliona euro të hedhura dëm, duan me një insistim qesharak të shesin kallpin për flori…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë