Duke filluar prej ditës së martë, 22 dhjetor, Shqipëria do t’i bashkohet listës së gjatë të vendeve europiane që kanë vendosur të pezullojnë fluturimet direkte me Britaninë e Madhe. Vendimi është njoftuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Përveç ndërprerjes së fluturimeve të drejtpërdrejta deri më 6 janar të vitit të ardhshëm, për të gjithë personat që do të hyjnë në Shqipëri në rrugë të tjera nga Anglia do të aplikohet karantina dyjavore.
“Autoritetet e Britanisë dhe vendet e BE-së po vlerësojnë impaktin e këtij varianti të ri të koronavirusit. Nisur nga rekomandimet për të kufizuar më tej riskun e përhapjes, kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe duke filluar nga ora 6 e ditës së martë deri në 6 janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës 14 ditore për qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe” tha ministrja”, deklaroi Manastirliu.
Vetëm në dy javët e fundit gazeta “Si” përllogarit se çdo ditë zbresin në Rinas të paktën 150 shtetas shqiptarë dhe të huaj që mbërrijnë në vendin tonë nga aeroportet e Londrës.
Pjesa më e madhe e pasagjerëve janë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Angli. Mesatarisht në një fluturim, në Rinas në dy javët e fundit kanë zbritur të paktën 150-200 persona. Gazeta “Si” mëson se përveç maskave dhe me raste kontrollit të temperaturës e të zbatimit të kushteve të tjera higjieno-sanitare për parandalimin e përhapjes së Covid, asnjë masë ekstre nuk është ndërmarrë. Kjo do të thotë se në një javë, janë rreth 1 mijë persona që kanë zbritur vetëm në Rinas nga Anglia.

Për më tepër, nëse masat kufizuese të fluturimeve direkte nga Anglia në Shqipëri nuk do të pezullohen, burimet thonë për Gazetën “Si” se për në ditët në vijim vihet re një rritje fluksit të rezervimeve të udhëtarëve, nisur nga fakti që Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërprerë plotësisht fluturimet me këtë vend, ndërsa Greqia u kërkon 7 ditë karantinë për çdo person që hyn në vend nga Anglia.
“Dje (të dielën) dhe sot paradite (të hënën) është vënë re një fluks në rritje për bileta nga Anglia në drejtim të Tiranës për 2 javët në vazhdim. Kjo shpjegohet me kërkesën e lartë të shtetasve shqiptarë që duan të kthehen në atdhe për të kaluar festat, por edhe me shtetas të tjerë joshqiptarë që po mendojnë të përdorin Shqipërinë si vend tranzit duke qenë se Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë pezulluar fluturimet direkte”, thonë burimet.
Fluksi konfirmohet edhe në faqen zyrtare të “Tirana International Airport”. Gjatë periudhave të normale të vitit, fluturimet e drejtpëdrejta vajtje-ardhje Tiranë-Londër shkojnë mesatarisht deri në 5 të tilla në javë. Por, sipas faqes zyrtare të TIA-s, vetëm më 22 dhjetor nga Londra drejt Rinasit do të fluturojnë 3 avionë të kompanive “Wizz Air”, “British Airways” dhe “Easyjet”.
Avionët nisen nga tre aeroportë të Londrës, përkatësisht Luton, Heathrow dhe Gatwick. Londra vetë është një prej zonave që Anglia ka përfshirë në karantinë për shkak të përhapjes masive të mutacionit të koronavirusit të ri, që autoritetet dyshojnë se është 70 për qind më ngjitës së varianti aktual, por nuk janë në gjendje që të përcaktojnë nëse është më vdekjeprurës apo jo.
Raste të mutacionit të koronavirusit janë konfirmuar në Holandë, Gjermani, Danimarkë, Australi dhe Itali. Me përjashtim të Australisë, të gjitha vendet e tjera në këtë listë kanë pezulluar përkohësisht fluturimet direkte me Anglinë.
Italia, Danimarka, Gjermania dhe Holanda nuk janë të vetmet vende të Bashkimit Europian që kanë ndërmarrë këtë hap. Lista është shumë më e gjatë dhe vazhdon edhe me vende si Austria, Belgjika, Franca, Estonia, Lituania e të tjera që kanë pezulluar për minimumi 48 orë fluturimet direkte nga Britania e Madhe.
Përtej Europës, Kanadaja, India, Turqia, Argjentina, Kili dhe Izraeli janë disa prej vendeve kryesore që kanë vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe nga frika e mutacionit të ri të koronavirusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje