Komunitet

Mijëra emigrantë po kthehen në Shqipëri dhe Kosovë për festat e fundvitit

Ashtu si çdo fund vit, shqiptarë që jetojnë jashtë kanë vendosur të kthehen në shtëpi pranë të afërmve, pavarësisht rreziqeve të jashtëzakonshme që paraqesin fluturimet apo udhëtimet me traget për shkak të pandemisë.

Mbyllja e paralajmëruar e Italisë për festat e fund vitit në kuadër të masave anti-Covid ka rritur ndjeshëm fluksin e pasagjerëve në drejtim të portit të Durrësit, ku mbrëmjes e së shtunës ka pasur fluks të madh në portin e Barit. Numri i pasagjerëve që pritet të mbërrijnë në Durrës këto ditë parashikohet të arrijë 3400. Burime nga porti bëjnë me dije për mediat se kanë arritur rreth 1398 pasagjerë me tragetin  Aurelia, si dhe 953 pasagjerë  me tragetin Af Claudia. Për të përballuar fluksin, në doganë po punohet me 20 sportele. Fluks ka edhe në pikat me Greqinë, në Kakvijë dhe Kapshticë, po ashtu edhe përmes aeroportit të Rinasit.

Situata paraqitet po aq alarmante edhe në Kosovë. Vetëm gjatë fundjavës përmes Aeroportit të Prishtinës kanë arritur në Kosovë gati 10 mijë shqiptarë në 1 ditë, ndërkohë që dhjetëra avionë priten të ulen përgjatë ditëve të ardhshme nga të gjitha vendet e Europës. Duke folur për numrin lartë të qytetarëve që kthehen në shtëpi, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi deklaroi se i kishte kërkuar të dielën autoriteteve të Kosovës që të rrisin përpjekjet që fluksi i personave që presin udhëtarët jashtë terminalit të menaxhohet më mirë.

“Ardhja e bashkatdhetarëve për fund vit është lajm i mirë si për ekonominë ashtu edhe për familjet kosovare që bashkohen në këto ditë festash. Situata në Aeroport raportohet të jetë nën kontroll sa i përket zbatimit të masave anticovid brenda terminalit, megjithatë kam kërkuar nga Autoritetet që të rrisin përpjekjet që turma e personave që presin udhëtarët jashtë terminalit të menaxhohet më mirë”, shkruan ai. 

Si kundërpërgjigje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur të njoftojë përmes ambasadave bashkatdhetarët për masat që janë në fuqi në Kosovë, si dhe kërkesat e vendeve përkatëse kur bashkatdhetarët të kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

Por dyndja nuk ka qënë vetëm nëpër avionë. Përgjatë tre ditëve të fundit një radhë e gjatë makinash u krijua në të gjitha pikat e kalimit të kufirit në Ballkan. Bashkatdhetarët po vijnë me automjete dhe autobusë nga Sllovenia, Hungaria, Kroacia dhe Serbia.

Radha e gjatë ka filluar të ndihet edhe në pikë kalimet të Kosovës si Merdare dhe Dheu i Bardhë, ku emigrantët po presin me orë të tëra. Radha për festuar në Kosovë në hyrje të kufijve ka shkuar 2 kilometra.

Radhë të gjata me vetura janë parë në kufijtë ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë dhe po ashtu ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa mijëra njerëz kanë pritur për orë të tëra për ta kaluar kufirin të premten dhe të shtunën, deri edhe në 10 orë.

Si pasojë, një numër i madh i emigrantëve, për t’iu shmangur pritjeve të gjata nëpër kufij, po kthehen në Kosovë përmes linjës ajrore.

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se mërgimtarët nuk kanë nevojë për testin PCR për të hyrë në vend dhe nuk do t’u kërkohet as izolimi.

Disa shtete të Bashkimit Europian, që kanë komunitete të mëdha të punëtove migrantë, kanë vendosur masa të testimit të detyrueshëm dhe masa të izolimit sapo ata të kthehen nga vendet e tyre të origjinës, duke shpresuar se këto masa do të bëjnë që më pak njerëz të udhëtojnë gjatë ksaëj periudhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë