Futboll

Jo vetëm Ferhan Hasani, Tirana piketon të tjera blerje për sulmin

Dëmtimi i Kale dhe Çelhakës dhe largimi i Ngo e më pas dhe Kobinah, i kanë hapur shumë probleme Tiranës. Kampionët në fuqi, pavarësisht ndryshimit në stol, ku Nevil Dede mori vendin e Emanuel Egbo pas javës së dytë, nuk e kanë gjetur veten dhe janë larg vendeve të para që mbahen nga Vllaznia, Kukësi, Partizani dhe Teuta.

Situata është qartë dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur të shpenzojnë në merkaton e dimrit për të kompletuar skuadrën, që ajo të mbrojë kurorën, ose minimalisht të zërë një vend në kupat e Europës. Ferhan Hasani është emri i parë që po qarkullon si përforcim i bardhebluve. Për fantazistin tetovar Tirana duhet të bëjë një sforco financiare, pasi ai kushton shumë. Por nuk është vetëm Hasani në listën e përforcimeve të sulmit.

Ferhan Hasani, një nga afrimet e mundshme të Tiranës. Gazeta Si, 25 dhjetor 2020

Emrat e dy lojtarëve të Partizanit, Asanit dhe Melos, që janë përmendur si objektiva të Tiranës, janë hedhur poshtë nga klubi kryeqytetas. Drejtuesit e Tiranës, në bashkëpunim me menaxherë të ndryshëm, po shohin çdo mundësi që ofron tregu ynë, por më shumë ai i huaj. Lojtarët afrikanë të ardhur në merkaton e verës nuk kanë bindur dhe përpjekjet më të mëdha po bëhen për të përforcuar sulmin.

Deri tani, peshën më të madhe në këtë repart e ka mbajtur i riu Ernest Muçi, ndërkohë që vendimtarë kanë qenë golat e Idriz Bathës. Tirana ka nevojë për më shumë kualitet dhe mbetet të shihet se çfarë do të sjellë merkatoj e janarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë