Gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me të rinj që kane mbaruar studimet, por ende në kërkim të një pune, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të rinjtë, porse “përqendrimi i pasurive dhe parave në duart e 10 njerëzve ka dekurajuar rininë dhe pamundësuar gjetjen e një pune”.
“Në 7 vite Rama ka dështuar të thithë investime të huaja që hapin vende pune. Vendimet e tij kanë favorizuar gjithmonë 4-5 oligarkë. Mbi 2 miliardë Euro janë të dedikuara për koncesione e PPP që i kanë marrë këta oligarkë. 7 miliardë Euro janë abuzimet e kësaj qeverie të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Nëse këto para do të kishin shkuar për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të subvencionuar fermerët, për të ulur taksat dhe mbështetur sipërmarrjen, për të stimuluar sipërmarrjen e të rinjve, për të ulur tarifat e shkollës, sot nuk do të kishim mijëra familje shqiptare që jetojnë nën 1.5 dollarë në ditë, e do të kishim shumë mundësi punësimi për të rinjtë”, tha Basha.
Sipas tij, është koha për ndryshim.
“Në platformën tonë ekonomike ne parashikojmë anulimin e koncensioneve dhe PPP-ve korruptive, një politike të re fiskale, taksë e sheshtë 9%, ulja e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend të dëshiruar për investitorët e huaj.
Ne do ta nxjerrim arsimin nga ngërçi i primitivizmit ku e ka lënë qeveria e Edi Ramës duke anuluar ligjin e tij për arsimin e lartë. Askush nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të varfërisë. Ne do të subvencionojmë 100% të tarifës së studimeve për studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj dhe 50% të tarifës për ata me të ardhura mbi 640 mijë lekë.
Do të ofrojmë 10 mijë praktika pune të paguara me 300 mijë lekë në muaj çdo vit”, premtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje