Politike

Basha, të rinjve: Anulojmë koncesionet, ligjin për arsimin e lartë dhe ofrojmë politike të re fiskale

Gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me të rinj që kane mbaruar studimet, por ende në kërkim të një pune,  kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të rinjtë, porse “përqendrimi i pasurive dhe parave në duart e 10 njerëzve ka dekurajuar rininë dhe pamundësuar gjetjen e një pune”.

“Në 7 vite Rama ka dështuar të thithë investime të huaja që hapin vende pune. Vendimet e tij kanë favorizuar gjithmonë 4-5 oligarkë.  Mbi 2 miliardë Euro janë të dedikuara për koncesione e PPP që i kanë marrë këta oligarkë. 7 miliardë Euro janë abuzimet e kësaj qeverie të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Nëse këto para do të kishin shkuar për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të subvencionuar fermerët, për të ulur taksat dhe mbështetur sipërmarrjen, për të stimuluar sipërmarrjen e të rinjve, për të ulur tarifat e shkollës, sot nuk do të kishim mijëra familje shqiptare që jetojnë nën 1.5 dollarë në ditë, e do të kishim shumë mundësi punësimi për të rinjtë”, tha Basha.

Sipas tij, është koha për ndryshim.

“Në platformën tonë ekonomike ne parashikojmë anulimin e koncensioneve dhe PPP-ve korruptive, një politike të re fiskale,  taksë e sheshtë 9%, ulja e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend të dëshiruar për investitorët e huaj.

Ne do ta nxjerrim arsimin nga ngërçi i primitivizmit ku e ka lënë qeveria e Edi Ramës duke anuluar ligjin e tij për arsimin e lartë. Askush nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të varfërisë. Ne do të subvencionojmë 100% të tarifës së studimeve për studentët nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj dhe 50% të tarifës për ata me të ardhura mbi 640 mijë lekë.

Do të ofrojmë 10 mijë praktika pune të paguara me 300 mijë lekë në muaj çdo vit”, premtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë