Futboll

Video/ Milan ruan kreun edhe me 10 vetë, Interi i bën presion me 6 gola

Seria A ka rinisur sot me javën e 15-të të kampionatit. Pas festave të fundvitit, të gjitha skuadrat e kreut kanë bindur në fushë, duke mos falur asnjë pikë. Milani kryeson klasifikimin me 37 pikë, i ndjekur nga Interi me 1 pikë më pak, pastaj vijnë Roma dhe Napoli, por të shkëputur disi.

Gjyqtari nd ëshkon Tonali me të kuq. Gazeta Si, 3 janar 2021

Milani fitoi 0-2 në fushën e Beneventos, por skuadra e trajnerit Pioli vuajti kur situata u komplikua nga dalja me karton të kuq e Tonali (me VAR) pas 34 minutash lojë. Më parë kuqezinjtë kishin shënuar me penallti me anë të Kesi, ndërsa Benevento, e drejtuar nga Pipo Inzagi, sulmoi gjithë kohën për të barazuar. Milani goditi sërish në fillim të pjesës së dytë me anë të një kundërsulmi të finalizuar nga Leao. Benevento goditi shtyllën dhe humbi edhe një penallti. Për Milanin, lojtari më i mirë në fushë ishte Donaruma.

https://streamable.com/uh1bpu
Goli i Leaos ndaj Beneventos. Gazeta Si, 3 janar 2021

Interi kishte mundur më parë Krotonen me rezultatin e thellë, 6-2. Lautaro Martinez ishte njeriu i ndeshjes. Sulmuesi argjentinas realizoi 3 gola në këtë ndeshje, por edhe kolegu i tij i repartit, Romelu Lukaku, autor i një goli, ishte në një ditë të mirë. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Interin në kampionat, ku presioni i zikaltërve ndaj Milanit është i madh.

Një nga golat e Lautaro Martinez ndaj Krotones. Gazeta Si, 3 janar 2021

Roma fitoi ndaj Sampdorias, falë një goli të Edin Xhekos, ndërsa Napoli mundi 1-4 Kaljarin në transfertë. Ka fituar thellë edhe Atalanta e Gjimshitit, që mundi 5-1 Sasuolon. Mbrojtësi i Kombëtares ishte i vetmi nga kuqezinjtë që u aktivizua si titullar. Si zëvendësues u aktivizua Ismajli me Specian, ndërsa Hysaj me Napolin, Kumbulla me Romën dhe Strakosha me Lacion, qëndruan në stol gjithë kohën.

Seria A, java e 15-të
Sot
Inter-Krotone 6-2
Roma-Sampdoria 1-0
Atalanta-Sasuolo 5-1
Kaljari-Napoli 1-4
Fiorentina-Bolonja 0-0
Xhenoa-Lacio 1-1
Parma-Torino 0-3
Specia-Verona 0-1
Benevento-Milan 0-2
Juventus-Udineze (Ora 20:45)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë