Seria A ka rinisur sot me javën e 15-të të kampionatit. Pas festave të fundvitit, të gjitha skuadrat e kreut kanë bindur në fushë, duke mos falur asnjë pikë. Milani kryeson klasifikimin me 37 pikë, i ndjekur nga Interi me 1 pikë më pak, pastaj vijnë Roma dhe Napoli, por të shkëputur disi.

Milani fitoi 0-2 në fushën e Beneventos, por skuadra e trajnerit Pioli vuajti kur situata u komplikua nga dalja me karton të kuq e Tonali (me VAR) pas 34 minutash lojë. Më parë kuqezinjtë kishin shënuar me penallti me anë të Kesi, ndërsa Benevento, e drejtuar nga Pipo Inzagi, sulmoi gjithë kohën për të barazuar. Milani goditi sërish në fillim të pjesës së dytë me anë të një kundërsulmi të finalizuar nga Leao. Benevento goditi shtyllën dhe humbi edhe një penallti. Për Milanin, lojtari më i mirë në fushë ishte Donaruma.
Interi kishte mundur më parë Krotonen me rezultatin e thellë, 6-2. Lautaro Martinez ishte njeriu i ndeshjes. Sulmuesi argjentinas realizoi 3 gola në këtë ndeshje, por edhe kolegu i tij i repartit, Romelu Lukaku, autor i një goli, ishte në një ditë të mirë. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Interin në kampionat, ku presioni i zikaltërve ndaj Milanit është i madh.
Roma fitoi ndaj Sampdorias, falë një goli të Edin Xhekos, ndërsa Napoli mundi 1-4 Kaljarin në transfertë. Ka fituar thellë edhe Atalanta e Gjimshitit, që mundi 5-1 Sasuolon. Mbrojtësi i Kombëtares ishte i vetmi nga kuqezinjtë që u aktivizua si titullar. Si zëvendësues u aktivizua Ismajli me Specian, ndërsa Hysaj me Napolin, Kumbulla me Romën dhe Strakosha me Lacion, qëndruan në stol gjithë kohën.
Seria A, java e 15-të
Sot
Inter-Krotone 6-2
Roma-Sampdoria 1-0
Atalanta-Sasuolo 5-1
Kaljari-Napoli 1-4
Fiorentina-Bolonja 0-0
Xhenoa-Lacio 1-1
Parma-Torino 0-3
Specia-Verona 0-1
Benevento-Milan 0-2
Juventus-Udineze (Ora 20:45)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje