Politike

Sherr e ballokume. Përplasen militantët në Elbasan

Të dy kanë zbritur në një kohë. Në orën 10.00 të paradites, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha kishin planifikuar takime ne Elbasan.

Fillimisht, ishte Kryetari i PD-së, Lulzim Basha që zbriti në Elbasan për Ditën e Verës ku është pritur në sheshin kryesor nga dhjetëra qytetarë. Kush me maskë e kush pa të, Basha është përshëndetur me grusht për shkak të pandemisë ndërsa ka uruar festën me dy gishtat lart.

Pati edhe thirrje të tipit “Rama ik”, shoqëruar edhe me flamuj te PD-së, ndërsa vetë Basha nuk është ndalur gjatë në përshëndetjen e mirëseardhjes.

Ra në sy shoqërimi i tij nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi që drejton edhe fushatën në atë qark dhe ish-deputeti Endri Hasa, i cili nuk u përshi në listën e kandidatëve për deputet. Hasa ishte gjithashtu ndër emrat e përjashtuar nga komisioni “Ruli”.

Menjëherë pas tij mbërriti kryeministri Edi Rama, kur ende nuk ishin larguar mbështetësit e PD-së.

Një grup militantësh të opozitës iu drejtuan me fjalët: “Rama ik!”,  “Zhduku”, “Plehra” duke krijuar një situatë të nderë mes mbështetësve të PD-së dhe PS-së.

Thirrjet sporadike ndaj kryeministrit Rama nga militante të PD-së kanë sjellë përplasje me militantet e PS-së deri edhe me grushta. c’ka ka sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë.

Pas këtij incidenti reagoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“E kemi dite feste me qetësi ju lutem. Nuk do të ndalet me dhunë e keqja”, tha Basha.  

“Sot bandat me pistoletë po shoqëronin kryeministrin në ikje…  Dua t’i garantoj se shpresa dhe ndryshimi po vjen dhe dhuna nuk do ndalë dot, mos guxo te kërcënosh qytetarët e Elbasanit dhe banditët me armët ne brez, asgjë nuk e ndal dot ndryshimin.

Thirrja ime është kundër dhunës. Kjo merr fund me 25 prill…”, tha Basha.

I pyetur se pse ishin caktuar axhendat në të njëjtën orë me Ramën, Basha tha se nuk kishte dijeni për axhendën e kryeministrit.

Pas incidentit reagoi edhe kryeministri Rama.

“Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për #PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë!

Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e bicikletave e ishte fshehur mes tyre!”, komentoi Rama në Twitter.

Basha dhe Rama patën takime me qytetarët, ndërsa u vu re se masat anti-COVID nuk janë respektuar asfare në Elbasan ku turma njerëzish janë derdhur në Bulevard.

Më herët, në një prononcim për mediet, kryeministri Rama tha se “po përpiqemi të bëjmë çmos që vera të jetë e lehtësuar nga pesha e rëndë e situatës së imponuar nga armiku i padukshëm. Për këtë arsye jemi duke bërë çmos që të garantojmë një vaksinim sa më intensiv duke sjellë sasi të konsiderueshme vaksinash që të shtrihemi në të gjithë teritorin”.

“Kemi filluar dje me mësuesit dhe pedagogët pasi kemi mbaruar vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve dhe vazhdojmë, por jo me ritmin e domosdoshëm dhe të dëshirueshëm me më të moshuarit”, tha Rama.

“Prandaj është në rendin e ditës sime sa hap sytë dhe është mendimi im i fundit para se të fle ato orë të pakta që të garantojmë dozat e konsiderueshme dhe të vaksinojmë në mënyrë të konsiderueshme që vera të jetë si kjo ditë e bukur dhe e ardhmja e afërt të jetë e çliruar përfundimisht nga makthi dhe goditjet që virusi bën në familjet e njerëzve tanë dhe deri duke marrë edhe jetë njerëzish”, tha Rama.

Më tej, kryeministri Rama theksoi se “kjo është arsyeja pse jam këtu dhe A dhe Zh e ditës sime është të bëjmë këtë verë një verë sa më të lehtë dhe ta çajmë përfundimisht rrethimin e virusit as me shumë e as më pak, por si shumë vende të BE-së”.

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi mes të tjerash një takim me zonjat përfaqësuese të Elbasanit, ku ka theksuar se qyteti do t’u kthehet qytetarëve, njerëzve punëtorë të Elbasanit.

Ai e cilësoi 14 Marsin si ditën që simbolizon thyerjen e dimrit dhe fitoren e pranverës.

“Dua po kështu ta them fare qartë, se koha e Edi Ramës ka marrë fund dhe Rama e di këtë. Është për të ardhur keq që edhe javët e fundit të tij, siç ka bërë rëndom këto 8 vite, ai provokoi qytetin e Elbasanit duke treguar dëshpërimin që e ka kapluar”, u shpreh Basha.

“Më 25 prill kjo do të ndryshojë, qyteti do t’i kthehet qytetarëve, qyteti do t’i kthehet njerëzve punëtorë të Elbasanit. Si çdo shqiptar do ta ndjejë kudo në Shqipëri dhe Shqipëria do t’ju kthehet shqiptarëve. Kudo që të shkosh Edi Rama do të marrësh të njëjtën përgjigje, do të shohësh fuqinë e njerëzve”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë