Politike

PD: Rama e Balla mbrojnë bandën e Elbasanit që terrorizoi qytetarët

Partia Demokratike thotë se ndonëse ka denoncuar me figurë dhe emra autorët e dhunës ndaj simpatizantëve të saj gjatë Ditës së Verës në Elbasan, policia nuk ka reaguar.

“Kanë kaluar 24 orë nga ngjarja dje, ku banditë me rekorde kriminale që ishin shpura e Edi Ramës, dhunuan dhe kërcënuan qytetarët e Elbasanit dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, që ishin në shesh për të festuar Ditën e Verës me Kryetarin e Opozitës. Kemi publikuar foto dhe video. Dhjetra dëshmitarë kanë parë ato portrete që ishin edhe eskorta e kryeministrit, edhe skalioni i dhunës ndaj qytetarëve. Gjithë Shqipëria e ka mësuar ngjarjen e shëmtuar, miqtë tanë ndërkombëtarë po ashtu. Vetëm Edi Rama nuk reagon, dhe as i deleguari i tij politik tek bandat, Taulant Balla”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe njëkohësisht kryesues i listës së kandidatëve të opozitës në Elbasan, Gazment Bardhi.

Bardhi akuzoi Policinë dhe Prokurorinë e Elbasanit për shkelje të hapur të ligjit.

“Pse nuk ka një komunikim nga Policia? Përse nuk ka transparencë se cilat janë hapat që kanë ndërmarrë?! Jua them unë: Nuk kanë në burg asnjë prej agresorëve, asnjë. Pse nuk distancohet Edi Rama nga banditët që dje ishin rojet e tij personale dhe vendosën në rrezik të armatosur sigurinë e qytetarëve.

Numri dy i demokratëve tha se “eksponetët e krimit të organizuar që ushtruan dhunë janë identifikuar nga PD me emrat Pjerin Xhuvani, Kelmend Xhaferri, me precedent penal, i përshfirë në ngjarjen e goditjes së postobllokut tek Tregu Ushqimor, Nino (emri), Marsel Rrokaj, Eris Skilja, Ernaldo Metaj, Gëzim Rusi.

Mosarrestimin e tyre, Bardhi e lidh me mbështetjen, që sipas tij, këta persona gëzojnë nga Edi Rama dhe Taulant Balla.

“Ne nuk kemi asnjë iluzion, se Policia do të mund të arrestojë shoqëruesit personalë të Edi Ramës. Ata kanë mbrojtjen politike të tij, dhe kanë në dispozicion në Elbasan, të deleguarin politik për bandat, Taulant Ballën”, u shpreh ai.

Gazmend Bardhi thotë se nga dëshpërimi i humbjes, Rama ka nxjerrë në terren ekipin e tij të vërtetë që janë bandat e krimit të organizuar, megjithatë shton se humbja e pret.

Në fund, Bardhi lëshon një paralajmërim për Taulant Ballën, Edi Ramën dhe drejtuesve të policisë dhe prokurorisë.

“Kjo që ka ndodhur këto 24 orë në Elbasan nuk është një lojë. Eshtë çështje serioze e zbatimit të ligjit dhe shkelja e ligjit, favorizimi i bandave, nënshtrimi ndaj Taulant Ballës, ka afat edhe 41 ditë”, mbylli deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë